Politika 2 Korrik 2025, 20:16 Nga VNA

Kriminaliteti shqiptar në emigrim është problem para së gjithash për Shqipërinë

Ndaje në Whatsapp
Kriminaliteti shqiptar në emigrim është problem para së

Dy politikanë populistë i folën mbështetësve respektivë, i pari, politikani anglez Nigel Farage, duke fryrë përtej asaj që është e arsyeshme një problem për vendin e tij, ndërsa i dyti, kryeministri shqiptar, Edi Rama, duke bërë një lojë kungulleshkash që injoron përmasat që problemi ka për vendin tonë.

Si për periudhë vere, e njohur për thatësirë lajmesh, nuk kishte se si të ecte më mirë për dy politikanë që pëlqejnë politikat identitare përkundrejt atyre të arsyetimit, një lojë me kungulleshka mbështetur në statistika të diskutuara jashtë konteksti.

Nigel Farage, ish-gazetar dhe politikan populist britanik, përdori praninë e mbi 1 mijë të burgosurve shqiptarë në burgjet angleze për të forcuar argumentin e tij kundër emigrantëve dhe “të huajve” në përgjithësi, duke vënë në dukje se këta të 1 mijë, në krahasim me rreth 50 mijë shqiptarët që jetojnë me leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar, përbëjnë 1 në çdo 50 vetë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, me kredencialet e tij demokratike të dëmtuara rëndë nga raporti i fundit i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare, gjeti rastin të harrojë për një çast këto telashe për të shpallur veten mbrojtës të dinjitetit të kombit, duke vënë në dukje se, në Mbretërinë e Bashkuar, popullsia shqiptare është sipas gjasave më e madhe se sa 50 mijë. Rama në një rast argumentoi se shqiptarët atje duhet të jenë rreth 140 mijë, ndërsa në një rast tjetër, argumentoi se duhet të jenë rreth 300 mijë. Kjo do të thotë që, nuk është e vërtetë që 1 në 50 shqiptarë është në burg, ndoshta nuk janë as një në 100 apo një në 300.

Loja me kungulleshka nga ana e Farage injoron kontekstin. Në Mbretërinë e Bashkuar ka 65 milionë banorë dhe nga këta, nëse marrim shifrën e Farage, të 50 mijë shqiptarët përbëjnë më pak se 0.08% të popullsisë ndërsa nëse marrim shifrën e Ramës, 300 mijë, përbëjnë 0.46% të popullsisë. Nëse numri i të burgosurve shqiptarë atje është 1 në 50 apo 1 në 300, kjo në të dyja rastet nuk ka shumë rëndësi për shkak se popullsia e përgjithshme e shqiptarëve atje është e papërfillshme. Edhe nëse kriminaliteti shqiptar në Angli zhduket me magji brenda ditës, gjendja e përgjithshme e kriminalitetit në Mbretërinë e Bashkuar vështirë se do të ndryshojë shumë.

Shifrat e publikuara nga parlamenti britanik tregojnë se aktualisht ka rreth 100 mijë të burgosur në këtë vend dhe kjo do të thotë se, rreth 0.15% ose 15 për mijë e popullsisë është në burg. Këto shifra tregojnë se, pavarësisht nëse marrim të mirëqenë deklaratën e Farage se shqiptarët janë 50 mijë, apo atë të Ramës që thotë se janë 300 mijë, të 1 mijë të burgosurit shqiptarë atje përbëjnë respektivisht 2 për qind ose 0.33 për qind të popullsisë shqiptare. Kjo do të thotë se, niveli i kriminalitetit mes popullsisë shqiptare në atë vend është së paku dy herë më i lartë se sa mes popullsisë së përgjithshme, sipas shifrës së Ramës dhe afërsisht 13 herë më i lartë nëse marrin të mirëqenë shifrën e Farage.

Por nëse shohim se aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar ka 15.4 të burgosur për mijë banorë, dhe heqim prej këtyre të 1 mijë shqiptarët, atëherë raporti të burgosur për mijë banorë zbret vetëm në 15.2. Me pak fjalë, shumica e problemit britanik me krimin janë vendësit, jo emigrantët.

Fakti është që krimi shqiptar në Angli është një problem ku e ku më i madh për Shqipërinë se sa për Mbretërinë e Bashkuar. Tashmë është e dokumentuar në mënyrë të shumëfishtë se Shqipëria është bërë bazë për strukturat kriminale dhe venddepozitimi për milionat e fituara nga trafiku i drogës anekënd botës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Por Mbretëria e Bashkuar, së paku nga të dhënat anektodale dhe jo statistikore, duket se është vendi ku trafikantët bëjnë para të konsiderueshme dhe shpejt, me shprehje të tilla si shtëpitë e barit dhe çunat e Londrës që kanë hyrë në të folurën e përditshme të shqiptarëve. Disa këngë turbofolk u këndohen këtyre çunave, ndërsa deputeti socialist Damian Gjiknuri i përshkroi në një rast çunat e Londrës si njerëz që “kanë marrë risqet e tyre” dhe që “paragjykohen”.

Ndoshta një nga rastet më të hershme të përdorimit të termit çunat e Londrës apo çunat e Anglisë në mënyrë metaforike, për të përshkruar njeriun që ka bërë shumë para të pista dhe është në kërkim të mundësive për t’i hedhur diku këto para në formën e pronave të patundshme, duhet të gjendet te një dosje e prokurorisë të njohur si dosja e shtatë bandave. Në një nga episodet e panumërta të saj, Durim Bami, një eksponent krimi aktualisht në Dubai, merr një mesazh nga një person i paidentifikuar. Personi i paidentifikuar i thotë se disponon një pronë prej mbi 200 metra katrorësh në lagjen Komuna e Parisit në Tiranë dhe kërkon ta shesë për 4 mijë euro për metër katrorë. Ai i kërkon Bamit të gjejë “ndonjë nga çunat e Anglisë” si blerës potencial. Bami e gjen në vend, pasi gjykon se oferta është e leverdisshme. Sipas bursës së Bamit, në Komunën e Parisit pronat për tregti shiten me 7 mijë euro për metër katror. Shkëmbimi sugjeron se transaksioni është kryer, se dikush ka blerë 200 metra katrorë lokal me çmim total mbi 800 mijë euro. Prokuroria thotë në dosje se nuk ka qenë në gjendje të identifikojë lokalin dhe personat e përfshirë në transaksion. Ajo që vihet re është shuma e stërmadhe e parave të hedhura në një aktivitet të tillë, një investim jo shumë i arsyeshëm, nëse merr parasysh se në Tiranë, një kafe vijon të shitet për vetëm 80 lekë dhe të 800 mijë eurot vështirë se do të rekuperohen ndonjëherë.

Në fakt, një operacion i tillë nuk mundet të klasifikohet as si pastrim parash për shkak se pastrimi i parave normalisht duhet të bëhet fshehurazi, ndërsa pronësia e një lokali të tillë është tepër e dukshme për të kryer këtë funksion.

Paratë e pista të fituara në tregtinë e drogës, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar,  nuk është se thjesht ndihmojnë trafikantët të bëjnë jetë luksi, si ajo që shfaqet në videoklipet e këngëve për çunat e Londrës. Këto para korruptojnë policinë, ndikojnë zgjedhjet dhe e bëjnë vendin, në instancë finale, të pabanueshëm. Fshehja pas detajeve, nëse norma e kriminalizimit të shqiptarëve në Angli, është një në pesëdhjetë, siç thotë Farage, apo një në 300, siç thotë Rama, nuk e zgjidh problemin e stërmadh që Shqipëria ka me krimin./BIRN/

 

Video

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme