
Një pagesë e kryer nga Autoriteti i Konkurrencës ndaj një përmbaruesi privat i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik prej rreth 3 milionë lekësh, ose rreth 31 mijë euro, sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Rasti lidhet me zbatimin e një vendimi gjyqësor që shfuqizoi një vendim të mëparshëm të Komisionit të Konkurrencës. Për subjektin e identifikuar në raport me inicialin “M.” sh.p.k., KLSH konstatoi se gjatë viteve ishin arkëtuar vetëm 5,571,497 lekë, megjithëse detyrimi total sipas vendimit të Autoritetit ishte 66,088,573 lekë.
Pas vendimit gjyqësor, Autoriteti riktheu drejt përmbaruesit 8,693,597 lekë, pra 3,122,100 lekë më shumë se shuma që ishte arkëtuar realisht.
Sipas dokumentacionit të shqyrtuar nga KLSH, përmbaruesi e kishte ndarë shumën e kthyer në 5,571,497 lekë detyrim të ekzekutuar dhe rreth 3.17 milionë lekë tarifë përmbarimore. Audituesit konstatuan se në praktikën e pagesës nuk ishte bashkëngjitur fillimisht faturë që ta justifikonte tarifën në këtë masë; pas kërkesës për informacion u paraqit një faturë e përmbaruesit drejtuar vetë subjektit privat.
KLSH llogarit se, për shumën prej 5,571,497 lekësh që ishte ekzekutuar realisht, tarifa e aplikueshme sipas udhëzimit për tarifat e përmbarimit privat duhej të ishte 183,859 lekë me TVSH, ose 2.75% e shumës së ekzekutuar.
Pas zbritjes së kësaj tarife nga diferenca prej 3,122,100 lekësh, audituesit arrijnë në shumën prej 2,938,241 lekësh të paguar tepër, të cilën e klasifikojnë si dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit.

KLSH thekson gjithashtu se vendimet gjyqësore nuk ngarkonin Autoritetin e Konkurrencës me pagesën e tarifave të përmbarimit të faturuara ndaj operatorit privat. Po kështu, mangësi ishte mungesa e urdhrit të titullarit për kryerjen e pagesës, ndërkohë që rregullat e zbatimit të buxhetit përcaktojnë se një vendim gjyqësor nuk likuidohet pa miratimin e titullarit.
Për këtë rast, KLSH rekomandon që Autoriteti të ndjekë të gjitha masat administrative dhe ligjore, përfshirë të gjitha shkallët e gjykimit, për arkëtimin e 2,938,241 lekëve nga përmbaruesi privat. Rasti duhet gjithashtu t’i përcillet Ministrisë së Drejtësisë për masat administrative përkatëse.
Autoriteti i Konkurrencës, në observacionet mbi projektraportin, tha se kishte vepruar bazuar në interpretimin e tij ligjor, por kishte kërkuar interpretim edhe nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë dhe kishte vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë. Institucioni deklaroi se do të ndërmerrte masat administrative dhe ligjore për kthimin e shumës. KLSH vlerësoi se Autoriteti kishte rënë dakord me konstatimet dhe rekomandimin e auditimit. /ekofin.al






















