Një ngjarje e rëndë me protagonist një person të shpallur në kërkim nga SPAK ka ngritur pikëpyetje serioze jo vetëm për sigurinë, por edhe për reagimin e Policisë së Durrësit.
Sipas të dhënave zyrtare, Denis Tafili, i kërkuar nga SPAK si pjesë e grupit kriminal të goditur në operacionin “Ura”, dyshohet se ka dhunuar me qytën e një pistolete 36-vjeçarin Edison Gjuzi në një lokal në zonën e Shkallnurit dhe më pas është larguar së bashku me një person tjetër.
Por ajo që bie në sy është fakti se Policia e Durrësit e raportoi ngjarjen vetëm pasi ajo ishte publikuar në media, rreth gjashtë orë pas incidentit. Gjatë gjithë kësaj kohe, personi i shumëkërkuar jo vetëm që ishte ende në arrati, por sipas informacioneve të deritanishme kishte qenë i përfshirë në një konflikt të armatosur në mes të qytetit.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet ndaj efektivit të Policisë së Durrësit, Leonard Xhamollari, ndihmës specialist në sallën e komandimit.
AMP ka sekuestruar armën e shërbimit të efektivit dhe po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar nëse ai ka favorizuar ose ka pasur lidhje me Denis Tafilin.
Vetë polici ka mohuar të ketë njohje me Tafilin, por i dëmtuari Edison Gjuzi ka deklaruar se e ka parë disa herë efektivin në shoqërinë e tij dhe të personit tjetër të përfshirë në konflikt.
Pavarësisht postblloqeve të ngritura pas ngjarjes, Denis Tafili dhe personi tjetër i dyshuar nuk janë arrestuar ende.
Në maj të këtij viti, SPAK mbylli hetimet ndaj grupit kriminal të Elvis Doçit, pjesë e të cilit dyshohet se është edhe Denis Tafili. Operacioni i përbashkët shqiptaro-italian “Ura” çoi në goditjen e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe në sekuestrimin e rreth 4 milionë eurove cash dhe 12 milionë euro pasuri, përfshirë kompani ndërtimi, restorante, një agjenci imobiliare dhe një televizion lokal.
Ngjarja ngre pikëpyetje të forta: si është e mundur që një person i kërkuar nga SPAK të qarkullojë i lirë, të përfshihet në një konflikt me armë dhe Policia ta bëjë publike ngjarjen vetëm pasi ajo është raportuar nga mediat?




















