
Pas disa orësh përballje me forcat e policisë dhe negociatash intensive, autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Roskovec, Refit alias Nertil Buzi, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit ku ishte i rrethuar nga forcat e sigurisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari dyshohet se vrau me armë gjahu babanë e ish-partneres së tij, plagosi nënën e saj dhe më pas mbajti peng për disa orë ish-të dashurën, shtetasen R.P.
Pas ndërhyrjes së Policisë, ish-partnerja e tij u lirua falë veprimeve të efektivëve dhe ekipit negociator të forcave speciale RENEA. Menjëherë pas këtij momenti, negociatat me 35-vjeçarin vijuan për disa orë me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe shmangien e përshkallëzimit të situatës.
Në operacion morën pjesë efektivë të RENEA-s dhe shërbime të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të policisë për dorëzim, Buzi nuk pranoi të heqë dorë nga rezistenca.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 16:35, ai dyshohet se ka përdorur armën e gjahut duke i dhënë fund jetës.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Emri i Refit alias Nertil Buzi është përmendur edhe më herët në kronikat e mediave. Në vitin 2022, ai u mor peng në Angli nga një grup shqiptarësh të dyshuar me precedentë kriminalë. Ai u mbajt për rreth një javë nën kërcënimin për jetën, ndërsa autorët kërkonin një shumë prej 400 mijë paundësh nga familjarët e tij.
Policia britanike ndërhyri duke e liruar pengun dhe arrestoi 7 persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje, e cila dyshohet se lidhej me konfliktet mes grupeve rivale në aktivitetet kriminale.





















