Editorial 24 February 2025, 18:14 Nga VNA

Holta Zaçaj i druhet përgjimit nga SPAK/ Çfarë i tremb anëtarët e Gjykatës Kushtetuese?

Ndaje në Whatsapp
Holta Zaçaj i druhet përgjimit nga SPAK/ Çfarë i tremb

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka bërë sot bilancin e punës njëvjeçare të institucionit që drejton. Por, paragrafi i vetëm që mbeti në vëmendjen e publikut dhe që Holta Zaçaj u kujdes të kishte hapësirë në media ishte kërkesa e saj drejtuar kreut të SPAK, Altin Dumani, për të ditur nëse ndonjë anëtar i Gjykatës Kushtetuese është përgjuar nga Prokuroria e Posaçme.

Madje, krejt jashtë kontekstit, Holta Zaçaj ka përmendur “fjalë që thuhen për përgjime ndaj anëtarëve të GJK” dhe, nisur nga këto fjalë, kryetarja e institucionit më të lartë të drejtësisë në vend i dërgon kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme për t’i thënë nëse ka kryer përgjime apo jo.

Që të jemi të qartë, edhe ata që nuk kanë formim juridik mund ta lexojnë dhe ta mësojnë fare thjesht se SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) mund të përgjojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nëse ka një vendim gjyqësor dhe nëse ka dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tyre në veprimtari të paligjshme, si korrupsioni apo shpërdorimi i detyrës. Gjyqtarët e GJK nuk bëjnë përjashtim dhe nuk konsiderohen mbi ligjin penal.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vërtet gëzojnë imunitet funksional, por ky nuk i mbron ata nga hetimet penale për korrupsion ose vepra të tjera penale.

Madje, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, përgjimet mund të bëhen nëse prokuroria dhe një gjykatë konstatojnë se ka prova të mjaftueshme për të justifikuar këtë masë hetimore.

Nga ana tjetër, krejt e pavend dhe jashtë logjikës minimale juridike është që Holta Zaçaj i kërkon drejtuesit të SPAK t’i kthejë përgjigje nëse ka kryer përgjime në këtë gjykatë apo jo. Ligjërisht, nëse SPAK ka vendosur në përgjim gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, arsyet pse nuk mund të jepet kjo përgjigje janë:

1. Hetimet janë sekrete – Sipas Kodit të Procedurës Penale dhe ligjit për SPAK, çdo hetim, përfshirë përgjimet, është sekret dhe nuk mund të bëhet publik pa përfunduar procesi hetimor.

2. SPAK është i pavarur – Asnjë institucion, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, nuk ka kompetencë të ndërhyjë apo të kërkojë informacion mbi një hetim penal në proces.

3. Përgjimet bëhen me urdhër gjykate – Nëse SPAK ka vendosur të përgjojë gjyqtarët e GJK-së, kjo do të thotë që një gjykatë tjetër e ka miratuar kërkesën për përgjim. Informacioni për këtë procedurë mbetet i klasifikuar derisa të përfundojë hetimi.

4. Gjyqtarët nuk kanë imunitet penal për hetime – Edhe pse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese gëzojnë imunitet funksional, ata mund të hetohen dhe përgjohen nga SPAK nëse dyshohet për korrupsion apo vepra të tjera penale.

Thënë ndryshe, nëse një (ose disa) anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në sa më sipër, janë përgjuar apo kanë dalë në përgjime të tjera të ligjshme, bëjnë mirë të kenë durim deri në përfundimin e hetimeve. Fakt mbetet që Gjykata Kushtetuese së fundmi ka trajtuar çështje delikate të krimit të organizuar dhe përfshirjes së tij në politikë, dhe çdo pakujdesi i secilit prej anëtarëve nuk i përjashton ata nga përgjegjësia ligjore.

Ndaj, në largim e sipër, do të ishte mirë që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të tregohet e kujdesshme për veten, të këshillojë stafin dhe të konsultohet me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale. Sa për përgjigjen e Altin Dumanit, ndoshta zonjës Zaçaj do t’i duhet të presë pak më gjatë se zakonisht, pasi SPAK ka durim dhe kapacitete të mjaftueshme për ti shkuar çdo hetimi deri në fund. Me gjasë, edhe pse me vonesë kryetarja ende në detyrë e GJK i është bashkuar sot korit të politikës në refrenin anti-SPAK, ndoshta me shpresën se dikush do ta vlerësojë zërin e saj në këtë kor që “këndon” çdo ditë kundër punës së Prokurorisë së Posaçme.

Lexo gjithashtu

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme