Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, e ka çuar në një nivel tjetër kritikën ndaj protestuesve. I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, ai u shpreh se gjuajtja me vezë nuk është thjesht një protestë, por një fyerje e madhe për vetë vezën.
Sipas ministrit, veza është "simbol i jetës" dhe nuk ka pse të prishët apo të përdoret për të gjuajtur godinat.
“Vezët janë simbol i jetës, nuk ka pse të përdhoset simboli i vezëve, pasi simbolizon jetën, dhe s’të jep asnjë të drejtë për të përdhosur askënd”, tha ndër të tjera ministri.
Përveç hallit të vezës, Gonxhja u shqetësua edhe për imazhin e shtetit. Ai tha se nuk mundet që 25 apo 100 njerëz të prishin reputacionin e institucioneve duke bllokuar punën e Parlamentit.
“Në rast se je duke bllokuar punimet e Parlamentit në një protestë qytetare…Edhe nëse e keqja do ishim ne, nuk shkon që me vetëgjyqësi nga krahu tjetër, 25-30 apo 100 veta s’mund të poshtërojnë një institucion dhe reputacionin e një shteti të tjerë”, u shpreh Gonxhja.
Ministri gjithashtu bën një hap pas pas reagimeve për deklaratën e tij. Ai tha se nuk i quajti protestuesit “tufë budallenjsh”, por vetëm ata që, sipas tij, përdorin dhunë dhe gjuajnë me gurë. Duke iu përgjigjur krahasimeve me 21 Janarin, ai deklaroi se konteksti i sotëm është krejt ndryshe dhe se protestat civile nuk preken nga policia.
Në fund, ai u dha edhe një këshillë protestuesve, të vijnë e të kërkojnë gjëra të arsyeshme, por jo të kërkojnë ikjen e qeverisë si pikë të parë, se po iku qeveria, s'ka kush ua plotëson kërkesat e tjera.
Pra, sipas logjikës së Gonxhes, protestuesit bëjnë mirë ta fshijnë këtë kërkesë nga mendja, të ruajnë vezët për mëngjes dhe të kuptojnë se pa këtë kabinet, nuk ka më kush t'u zgjidhë asnjë hall në këtë vend.






















