Situata rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po konsiderohet si një precedent i paprecedentë dhe cenim i rëndë i shtetit të së drejtës.
Përmes një reagimi publik, sipërmarrësi Behgjet Pacolli ka denoncuar se ky investim strategjik po mbahet peng nga persona që veprojnë në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa institucionet përgjegjëse vazhdojnë të heshtin.
Sipas Pacollit, projekti i partneritetit publik-privat (PPP), ku kompania zvicerane Mabco ka investuar qindra milionë euro në bazë të një kontrate të rregullt koncesionare, po përballet me veprime të paligjshme dhe vetëgjyqësi që po dëmtojnë rëndë ecurinë e tij.
“Ajo që po ndodh sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës është një situatë jashtë çdo standardi të shtetit të së drejtës. Është e vështirë të gjendet një precedent ku një investim strategjik i këtij niveli të mbahet peng për muaj të tërë nga persona që veprojnë në kundërshtim me ligjin, ndërsa institucionet përgjegjëse vazhdojnë të mos ndërhyjnë për të rivendosur rendin ligjor.”
Në deklaratë theksohet se pavarësisht faktit që Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë kompanisë Mabco në të gjitha çështjet e shqyrtuara deri më tani, si dhe përkundër dhjetëra denoncimeve të dorëzuara në organet kompetente, masat konkrete për vendosjen e ligjshmërisë kanë munguar. Kjo situatë po shkakton pasoja të shumanshme për investimin.
“Si pasojë e kësaj situate, dëmet financiare, teknike, ekonomike dhe reputacionale po shtohen nga dita në ditë... Kjo mungesë reagimi ngre shqetësime serioze dhe krijon dyshime të arsyeshme për ndikime të papërshtatshme në proceset gjyqësore dhe në funksionimin e organeve të drejtësisë.”
Përballë kësaj fryme bllokuese, kompania zvicerane i është drejtuar zyrtarisht organeve më të larta të hetimit në Shqipëri për të marrë masa të menjëhershme dhe për të identifikuar përgjegjësit penalë e institucionalë.
“Mabco i bën edhe një herë thirrje SPAK-ut, Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të fillojnë pa vonesë hetime të plota, të pavarura dhe transparente; të verifikojnë çdo ndërhyrje të paligjshme; të identifikojnë përgjegjësit; të përcaktojnë përgjegjësitë penale dhe institucionale; si dhe të marrin masat e nevojshme për rikthimin e menjëhershëm të rendit ligjor.”
Në mbyllje të reagimit, Pacolli nënvizon se shteti i së drejtës nuk mund të jetë selektiv e as i varur nga interesa të caktuara grupore, ndërsa kërkon veprim pa vonesë nga sistemi i drejtësisë për mbrojtjen e këtij investimi madhor.
“Aeroporti i Vlorës nuk mund të vazhdojë të mbahet peng nga interesa të paligjshme, ndërkohë që institucionet heshtin dhe një investim strategjik për Shqipërinë dëmtohet çdo ditë para syve të opinionit publik. Sundimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv dhe as i kushtëzuar nga interesa të ngushta.”
“Drejtësia duhet të veprojë tani, me profesionalizëm, pavarësi dhe vendosmëri. Heshtja institucionale nuk mund të jetë përgjigjja ndaj një situate që cenon rëndë ligjin, interesin publik dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.”






















