
Shqipëria mund të përballet me një proces të riorganizimit të pushtetit vendor dhe bashkimit të disa bashkive, por një reformë e tillë duhet të paraprihet nga një analizë e plotë e efekteve të reformës territoriale të vitit 2015.
Ky është një nga përfundimet e një raporti paraprak të Këshillit të Evropës, të përgatitur në mars 2026 nga raportuesit Anders Knape dhe Soren Schumacher, ku theksohet se çdo ndryshim i kufijve territorialë duhet të shoqërohet me konsultim real dhe jo vetëm formal me komunitetet e prekura.
Sipas dokumentit, njësitë e qeverisjes vendore kanë pasur deri më tani vetëm informacion të kufizuar mbi procesin e reformës së re territoriale. Raportuesit nënvizojnë se Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore nuk i ndalon bashkimet e njësive vendore apo ndryshimet territoriale, por kërkon që autoritetet dhe komunitetet lokale të përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë përpara marrjes së vendimeve.
“Ekziston rreziku që gjatë përgatitjes së reformës territoriale të planifikuar për vitin 2026 të zhvillohen vetëm konsultime formale dhe jo thelbësore, nëse qeveria synon të respektojë afatin e njoftuar për zbatimin e saj”, thuhet në draft-raport.
Dokumenti evidenton gjithashtu një kontradiktë mes objektivit për krijimin e bashkive më të mëdha dhe vijimit të centralizimit të disa shërbimeve publike, si menaxhimi i mbetjeve, furnizimi me ujë dhe arsimi.
Sipas raportuesve, për një pjesë të funksioneve vendore, bashkitë nuk kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, por shpesh kufizohen në role zbatuese ose administrative. Për pasojë, Shqipëria nuk po e zbaton plotësisht parimin e subsidiaritetit, sipas të cilit vendimmarrja duhet të jetë sa më pranë qytetarëve.
Raporti kundërshton gjithashtu idenë se dobësia administrative apo financiare e disa bashkive duhet të sjellë transferimin e kompetencave te qeveria qendrore. Sipas Këshillit të Evropës, zgjidhja duhet të jetë forcimi i kapaciteteve të pushtetit vendor dhe jo rritja e centralizimit.
Në përfundimet e tij, dokumenti thekson se reforma e vitit 2026 nuk duhet të fokusohet vetëm te numri dhe kufijtë e bashkive, por duhet të trajtojë edhe rolin e 12 qarqeve. Raportuesit vlerësojnë se qarqet aktuale nuk përbëjnë njësi të plota të vetëqeverisjes vendore në kuptimin e Kartës Evropiane.






















