Filmi i shkurtër “Someday, a Child”, me regji të libanezes Marie-Rose Osta dhe me drejtor fotografie shqiptarin Sokol Keraj, është shpallur fitues i çmimit “Golden Bear” për film të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.
Në qendër të historisë është një djalë 11-vjeçar me aftësi të pazakonta, i cili jeton me xhaxhain e tij në një fshat libanez, ku zhurma e avionëve luftarakë është pjesë e përditshmërisë. Ndërsa xhaxhai përpiqet ta bëjë të duket “normal”, djali në fshehtësi teston një aftësi që as vetë nuk e kupton plotësisht.
Ngjarjet marrin kthesë dramatike kur ai, pa dashje, shkakton rrëzimin e dy avionëve luftarakë, duke e bërë të pamundur mbajtjen e fshehtë të dhuntisë së tij.
Filmi, me një gjatësi prej 27 minutash, pati premierën në Berlin dhe është një bashkëprodhim mes Francës, Rumanisë dhe Libanit.
Sokol Keraj, në rolin e drejtorit të fotografisë, ka studiuar regji filmi në Rumani dhe aktualisht është pedagog në Universitetin “Politecnico Grancolombiano” në Bogota, Kolumbi. Mes projekteve të tij të mëparshme përmenden filmat “Dita e fundit e Loro Shestanit” dhe “Gëzuar Vitin e Ri 1982”.






















