Sot në Serbi kanë vijuar protestat antiqeveritare, me demonstrata në Novi Sad ku protestuesit bllokuan Pallatin e Drejtësisë në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimeve. Bllokada nisi rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe studentët e përshkruan si një akt rezistence “kundër arrestimeve të pabaza dhe dhunës ligjore që po ushtrohet ndaj kolegëve dhe miqve tanë”.
Protestat u zhvilluan edhe mbrëmjen e djeshme në disa qytete të vendit, përfshirë Valjevën, Obrenovacin, Sremska Mitrovicën dhe Beogradin, ku pas një dite pauze u mbajt një tubim i madh. Në kryeqytet, demonstruesit shkatërruan ambientet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në Palilula dhe Zemun. Pas ndërhyrjes së policisë, në një prej selive shkoi edhe presidenti Aleksandar Vuçiç.






















