Giuseppe Raimondo Vittorio Baudo, i njohur për të gjithë si Pippo Baudo, ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në moshën 89-vjeçare. Për dekada me radhë ai mbeti figura më përfaqësuese e televizionit italian, duke fituar epitetin e prezantuesit më të dashur për publikun.
Gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme, Baudo ka drejtuar programe të mëdha varieté si Settevoci, Canzonissima, Domenica In, Fantastico, Serata d’onore dhe Novecento. Emri i tij lidhet ngushtë me Festivalin e Sanremos, të cilin e ka prezantuar plot 13 herë nga viti 1968 deri në vitin 2008, duke vendosur një rekord të papërsëritshëm. Në shtatë prej tyre mbajti edhe rolin e drejtorit artistik.
Ai ishte jashtëzakonisht i njohur edhe në Shqipëri, ku televizionet italiane ndiqeshin gjerësisht gjatë viteve ’80 e ’90. Për shumë breza, ai ishte ura kulturore me Italinë dhe simbol i botës së televizionit modern që në Shqipëri mungonte.
Pippo Baudo do të mbetet në kujtesën kolektive si një ikonë e padiskutueshme e ekranit italian, por edhe si një figurë e afërt dhe e dashur për shqiptarët që e ndoqën për dekada nga matanë Adriatikut.






















