
Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin e Partisë Socialiste për Reformën Administrativo-Territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe reduktimin e numrit të tyre nga 61 në 46.
Nisma u miratua nga mazhoranca pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët u larguan nga mbledhja pas debateve dhe kundërshtimeve për mënyrën se si është zhvilluar procesi.
Gjatë diskutimeve, opozita akuzoi mazhorancën se reforma po bëhet pa konsultimin e duhur me qytetarët dhe pushtetin vendor. Në të njëjtën kohë, jashtë Kryesisë së Kuvendit protestuan banorë të bashkive që parashikohet të shkrihen, duke kërkuar tërheqjen e nismës.
Debate ka pasur edhe brenda vetë mazhorancës. Deputetët socialistë Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë dalë kundër hartës së re territoriale, me argumentin se reduktimi i bashkive mund të ndikojë në efikasitetin dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, beteja për reformën zhvendoset në seancën plenare të 8 tetorit. Për miratimin përfundimtar nevojiten 84 vota, ndërsa qëndrimet kundër brenda mazhorancës e bëjnë të rëndësishme aritmetikën parlamentare për sigurimin e shumicës së cilësuar.






















