
Një grup qytetarësh janë mbledhur këtë të hënë para Kryesisë së Kuvendit për të kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, i cili pritet të diskutohet dhe të votohet në Komisionin e Ligjeve.
Me pankarta me mbishkrimet “Poliçani nuk negociohet”, “Mos e prekni Selenicën” dhe “Nuk e shuani dot identitetin tonë”, protestuesit kanë kundërshtuar shkrirjen e bashkive të parashikuara në draft.
Propozimi i PS-së parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, çka nënkupton se 15 bashki do të shkrihen dhe do t’u bashkohen njësive më të mëdha vendore pranë tyre.
Nëse drafti merr miratimin e Komisionit të Ligjeve, projektligji pritet t’i kalojë Kuvendit për votim në seancën plenare të së enjtes, 8 tetor.
Nisma ka shkaktuar kundërshtime jo vetëm nga opozita, por edhe brenda radhëve të mazhorancës. Kryebashkiakë dhe anëtarë të këshillave bashkiakë të disa prej njësive që parashikohet të shkrihen kanë dalë kundër ndryshimeve.
Protestës i është bashkuar edhe aktorja Egla Ceno, e cila akuzoi mazhorancën se ka zhvilluar dëgjesa fiktive dhe se nuk ka marrë në konsideratë qëndrimin e banorëve të zonave të prekura.
“Kemi marrë bilbilat në dorë se zëri ynë nuk u dëgjua. Kjo reformë është antikushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë thotë se një lëvizje e tillë bëhet duke marrë parasysh pëlqimin e banorëve që jetojnë në këto zona. Banorët nuk janë dëgjuar. Nëse e kryejnë në Parlament, do t’i shkojmë edhe në rrugë ligjore”, deklaroi Ceno.
Ajo u bëri thirrje gjithashtu deputetëve të qarqeve të prekura nga ndryshimet që të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve.
“Na kanë bërë dëgjesa fiktive duke përdorur njerëzit si dekor. Kanë dëgjuar çfarë kanë dashur. Na braktisën në mbledhje. Nuk na kanë dëgjuar. Gjëja më e keqe për një komb është shpopullimi. Poliçani i ka votuar socialistët për më shumë se 25 vjet”, shtoi ajo.
Në protestë mori pjesë edhe një mësuese nga Fushë-Arrëzi, e cila deklaroi se banorët nuk janë pyetur për ndryshimet që prekin njësitë e tyre vendore.
“Nuk na pyetën fare. Askush nuk pyeti qytetarët. Unë jam mësuese, por sot e ndjeva të nevojshme që të merrja pjesë në protestë për vendin tim. Nuk duhet të na shmangin, zëri ynë duhet dëgjuar”, u shpreh ajo.
Protestuesit kërkojnë që qëndrimi i komuniteteve lokale të merret në konsideratë përpara miratimit të ndryshimeve në hartën territoriale.






















