
Dy vota kundër kanë prishur unanimitetin në grupin parlamentar socialist për reformën e re administrativo-territoriale. Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë kundërshtuar draftin e PS-së që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Sipas burimeve, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist në fillim të javës, dy deputetët nuk kanë pranuar propozimin për shkrirjen dhe bashkimin e 15 bashkive dhe, kur drafti është hedhur në votim, kanë votuar kundër.
Ndërkohë, Elisa Spiropali, e cila së fundmi ka marrë publikisht pozicionin e “opozitares” brenda mazhorancës për disa çështje, këtë herë është vendosur në rresht me pjesën tjetër të deputetëve socialistë.
Por vota që ka peshë juridike dhe politike do të jetë ajo e së enjtes në Kuvend. Aty do të shihet nëse Braçe dhe Sinaj do ta mbajnë të njëjtin qëndrim edhe përballë disiplinës së grupit parlamentar.
Taulant Balla ua ka bërë të qartë deputetëve socialistë se votimi brenda grupit është një gjë, ndërsa ai në Kuvend është “votim politik”. Kreu i grupit parlamentar të PS-së ka paralajmëruar se qëndrimi në seancë nuk mund të trajtohet si një votë individuale pa pasoja politike.
Kështu, deri të enjten, pikëpyetja nuk është më se çfarë mendojnë Braçe dhe Sinaj për hartën me 46 bashki. Këtë e treguan me votën kundër. Pikëpyetja është nëse do ta përsërisin atë votë edhe kur përballë të kenë votën në Kuvend.






















