
Pasi kundërshtitë e qytetarëve dhe drejtuesve vendorë nuk e ndryshuan kursin e reformës territoriale, mazhoranca duket se ka gjetur një tjetër mënyrë për t’iu përgjigjur debatit: duke sqaruar terminologjinë. Sipas bashkëkryetarit socialist të komisionit për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, bashkitë nuk do të “shkrihen”. Ato thjesht do të “bashkohen”.
Në një intervistë për Euronews Albania, Mazniku tha se përdorimi i fjalës “shkrirje” është i gabuar dhe se pikërisht ky term ka nxitur një pjesë të debatit publik.
“Është shumë e rëndësishme t’ia themi edhe publikut që asnjë bashki nuk shkrihet, koncepti i bashkive që shkrihen është një term i gabuar që ngjall një pjesë të debatit. Bashkitë bashkohen, dy-tre bëhen pjesë e një bashkie të madhe”, deklaroi ai.
Pra, problemi qenka edhe te fjalori. Një bashki që humbet statusin e saj si bashki më vete dhe bëhet pjesë e një njësie më të madhe, sipas Maznikut, nuk është “shkrirë”, por është “bashkuar”.
E shpjeguar në pçak fjalë logjika e Maznikut, një lloj operacioni administrativ ku pacienti vdes, por ndërhyrja quhet e suksesshme, mjafton të zgjedhësh termin e duhur. Qytetarëve që kundërshtuan reformën u mbetet kështu edhe një detyrë e fundit, përveç hartës së re territoriale, të mësojnë edhe fjalorin e ri të mazhorancës.
“Sqarimi” vjen pasi reforma është shoqëruar me kundërshti në bashkitë e prekura nga harta e re. Drejtues vendorë dhe qytetarë kanë kundërshtuar humbjen e statusit aktual të bashkive të tyre, ndërsa në disa zona kundërshtimi është shoqëruar edhe me protesta.
Mazhoranca, megjithatë, ka vijuar përpara me projektin. Edhe konsultimet në terren u përballën me kundërshtime dhe kritika të forta nga qytetarët ndaj propozimit të mazhorancës, aq sa dëgjesat publike u ndërprenë pa u përmbyllur i gjithë procesi.
Por ndërsa kundërshtitë për hartën e re mbeten dhe mazhoranca nuk duket se ka ndërmend t’i reflektojë ato, debati tashmë është zhvendosur edhe te fjalori. Pas protestave, kundërshtimeve dhe kërkesave për të ruajtur bashkitë, Mazniku u shpjegon qytetarëve se problemi qenka edhe te mënyra si e kanë kuptuar procesin: nuk është “shkrirje”, por “bashkim”.
Në fund, mund t’i ndryshosh foljen sa të duash, por jo faktin se bashkia që kërkuan të ruanin nuk do të jetë më bashki më vete.






















