Politika 2026-10-04 15:14:17 Nga VNA

Belind Këlliçi më i shqetësuar për pyetjet që i bëhen se për korrupsionin që denoncoi vetë

Ndaje në Whatsapp

Belind Këlliçi më i shqetësuar për pyetjet që i

E lexuam reagimin e Belind Këlliçit ndaj shkrimit të VNA-së dhe, meqë mes shumë akuzave ndaj “portaleve”, “fabrikave” dhe “klaneve” ka edhe një përgjigje konkrete, po qëndrojmë pikërisht te ajo.

Këlliçi thotë se denoncimin për kazinonë në Air Albania nuk e ka lënë në mes. Ai publikon shkresa dhe thotë se u është drejtuar zyrtarisht disa institucioneve, se është në pritje të përgjigjeve dhe se, pasi të administrojë dokumentacionin, dosjen do ta dërgojë në SPAK.

Shkresat që Belind Këlliçi ka publikuar sot janë kërkesa për informacion drejtuar institucioneve. Dhe këtu lind një pyetje tjetër: nëse prej kaq muajsh këto institucione nuk janë përgjigjur, si ka mundësi që Këlliçi nuk është kujtuar të denoncojë publikisht pikërisht mungesën e përgjigjeve?

Ky është informacion me interes publik dhe, sigurisht, duhet marrë në konsideratë.

Por pikërisht këtu qëndron edhe pyetja e shkrimit tonë.

Nëse prej 28 korrikut kjo çështje është ndjekur institucionalisht, pse publiku, të cilit iu paraqit me konferenca shtypi një aferë kaq e rëndë, nuk është informuar më pas për hapat e ndërmarrë? Cilat institucione janë përgjigjur? Cilat nuk janë përgjigjur? Çfarë dokumentesh janë kërkuar? Çfarë është siguruar deri tani dhe çfarë pret ende opozita?

Të bësh këto pyetje nuk është “linçim” dhe aq më pak pjesë e ndonjë “fabrike”. Është gazetari.

Dhe, meqë Belind Këlliçi bën sot publikisht një ftesë që gazetarët ta kontaktojnë dhe premton të vërë në dispozicion dokumentacionin, VNA e pranon ftesën. Adresa është [email protected].

Madje do ta zgjeronim.

Le të na vërë në dispozicion të gjitha shkresat, përgjigjet e institucioneve dhe dokumentet që ka administruar deri tani për kazinonë në Air Albania. Ne do t’i verifikojmë dhe do t’i publikojmë.

Por të njëjtën transparencë do ta kërkojmë edhe për JetBank.

Sepse shkrimi ynë nuk kishte si pyetje nëse Belind Këlliçi di të bëjë denoncime. Këtë e dimë. Pyetja ishte çfarë ndodh pas denoncimit.

Dhe nëse përgjigjja është se këto dosje po ndiqen deri në fund, aq më mirë. Atëherë nuk kemi nevojë për etiketime dhe as për luftë me gazetarët.

Na duhen dokumentet.

Sa për etiketimet ndaj gazetarëve dhe mediave, Belind Këlliçi bën mirë t’ia lërë Sali Berishës. Ai, të paktën, është origjinal në epitete. Ndërsa kur Belindi përpiqet me epitetin dhe batutën, rezultati është pak a shumë në nivelin e batutave të Lulzim Bashës. Dhe besojmë se të gjithë e mbajmë mend sa shumë qeshnim me to.

Në fund të fundit, për një gjë duket se jemi dakord me Belind Këlliçin: “verba volant, scripta manent”.

Prandaj, presim scripta.

[email protected]

Lexo gjithashtu

Video

Videot që trullosën publikun: Kush i nxori nga errësira e Telegramit dhe pse pikërisht tani?

Një prej prindërve të 20 fëmijëve që shfaqën simptoma helmimi në një kopsht në Korçë ka rrëfyer momentet e ankthit. Ai tregon se pasi mori djalin nga kopshti, fëmija nisi të kishte dhimbje barku dhe të vjella, ndërsa më pas humbi fuqinë dhe u zverdh. Familja e dërgoi menjëherë në spital, ku mësoi se edhe fëmijë të tjerë kishin shfaqur simptoma të ngjashme.

Edhe Shakira mahnitet nga Dua Lipa! Dy yje botërore në të njëjtën skenë! Gjatë koncertit në Madrid, Shakira dhe Dua Lipa ndanë skenën për disa momente, ndërsa këngëtarja kolumbiane nuk e fshehu entuziazmin për artisten shqiptare. Një takim që ndezi publikun dhe bëri bashkë dy prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore.

Një balonë gjigante ilegale, me lartësi mbi 50 metra, ka shpërthyer në ajër mbi São Paulo të Brazilit. Struktura e mbushur me fishekzjarre u ça papritur, duke shkaktuar shpërthime të rrezikshme dhe re të mëdha mbetjesh. Lëshimi i këtyre balonave përbën një traditë të paligjshme që shkel rregullat e sigurisë. Këto mjete amatore prej letre dhe plastike përbejnë një kërcënim të madh për mjedisin dhe transportin. Në raste të ngjashme, ato kanë detyruar mbylljen e hapësirës ajrore pranë aeroporteve kryesore. Rrëzimi i tyre në tokë sjell gjithashtu një rrezik të lartë për shpërthimin e zjarreve masive.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news