Politika 2026-10-04 12:49:48 Nga VNA

Media spanjolle: Korrupsioni dhe protestat vënë nën presion Ramën, aleatin e madh të Sánchezit në Ballkan

Ndaje në Whatsapp

Media spanjolle: Korrupsioni dhe protestat vënë nën presion

Media spanjolle “The Objective” i ka kushtuar një shkrim situatës politike në Shqipëri, protestave kundër qeverisë dhe çështjeve të korrupsionit, duke u ndalur veçanërisht te kryeministri Edi Rama dhe marrëdhënia e tij me homologun spanjoll Pedro Sánchez.

Dominimi i Edi Ramës në Shqipëri po lëkundet. Protestuesit janë thirrur të marrin pjesë këtë të diel në protestat e përditshme, të cilat kanë arritur në 127 ditë radhazi mobilizimesh përpara rezidencës zyrtare të kryeministrit në Tiranë.

Media spanjolle: Korrupsioni dhe protestat vënë nën presion

Ditët e fundit, pjesëmarrësit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj asaj që e konsiderojnë një “sistem totalitar të korruptuar” dhe kërkojnë “arrestimin e Ramës” dhe “arrestimin e Belindës”, duke iu referuar Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministre përgjegjëse për infrastrukturën e vendit. Ajo po hetohet për manipulimin e kontratave të punëve publike për rrugë dhe tunele me vlerë 190 milionë euro dhe për marrje ryshfeti, përfshirë një vilë luksoze, si dhe për pastrim parash.

Një ish-president i republikës ballkanike, një ish-kryeministër, dy ish-zëvendëskryeministra, kryebashkiaku i Tiranës dhe disa drejtues të lartë të agjencive që administrojnë buxhete të konsiderueshme publike janë dërguar në gjyq, burgosur ose përballen me çështje gjyqësore.

Që prej muajit të kaluar, ish-drejtuesja e Inteligjencës së vendit, kosovarja Vlora Hyseni, ndodhet në arrest shtëpie për nxjerrjen e informacionit të klasifikuar lidhur me një prej çështjeve të korrupsionit te një person në arrati, me të cilin kishte një marrëdhënie të afërt. Sipas shkrimit, ata kishin komunikuar 87 herë brenda gjashtë muajve.

Mungesa e pavarësisë së drejtësisë është një prej sfidave të mëdha të Shqipërisë, por prokurorët dhe gjyqtarët kanë qëndruar të palëkundur në hetimin e pushtetit politik. Ashtu si Audiencia Nacional në Spanjë, institucioni homolog në Tiranë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), po përballet me një rritje të rasteve të korrupsionit politik, por edhe të trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe bandave kriminale.

Media spanjolle: Korrupsioni dhe protestat vënë nën presion

Rama është një aleat i ngushtë i kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez. Kreu i Partisë Socialiste shqiptare krenohet shpesh me miqësinë personale me homologun e tij spanjoll, të cilin e ka cilësuar “një njeri të mençur dhe me integritet të padiskutueshëm”.

Rama i shprehu mbështetjen Sánchezit edhe kur ky i fundit mori pesë ditë kohë për reflektim për shkak të problemeve gjyqësore të bashkëshortes së tij, Begoña Gómez.

“Mos u dorëzo kurrë”, shkroi Rama, duke kritikuar “manipuluesit e fakteve”.

Nga ana e tij, kreu i qeverisë spanjolle ka vlerësuar “vullnetin reformues” të partnerit të tij, ndërsa Moncloa ka evidentuar “marrëdhëniet e mira” mes dy administratave. Gjatë gjashtë viteve të fundit, të dy kryeministrat janë takuar të paktën shtatë herë.

Revolucioni i flamingove

Ditët e fundit, protestuesit kanë ngritur zërin kundër “mafias” së Ramës, kundër krimit, korrupsionit dhe sundimit të “oligarkëve” që kontrollojnë ekonominë e vendit. Mes tyre përmendet familja Kastrati, pronare e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe e një rrjeti shumë të gjerë pikash karburanti.

“Shqipëria kërkon revolucion”, është një prej sloganeve që përsërisin protestuesit.

Pavarësisht se republika mesdhetare po përjeton një zhvillim të shpejtë ekonomik, me një bum të turizmit në bregdet dhe një transformim të përshpejtuar urban të kryeqytetit, kritikët denoncojnë se qeveria po jep me shpejtësi leje ndërtimi, duke krijuar mundësi që rrjete të trafikut të drogës, si i ashtuquajturi karteli i Ballkanit, i cili kontrollon një pjesë të konsiderueshme të tregut të drogës në qytetet europiane, të pastrojnë miliarda euro përmes projekteve hoteliere dhe rezidenciale luksoze.

Dhjetëra rrokaqiej të sapopërfunduar ose ende në ndërtim kanë ndryshuar horizontin e Tiranës. Ato njihen si “kullat e kokainës”.

“Poshtë narkoshteti”, është një tjetër thirrje që dëgjohet në protesta, të cilat në tubimet e para mblodhën më shumë se 100 mijë persona.

Së fundmi, FBI mbërriti në Tiranë dhe i dorëzoi drejtësisë shqiptare dokumentacion lidhur me trafikun e drogës, i cili ka ngjallur pritshmëri të mëdha në qarqet gjyqësore dhe gazetareske.

Media spanjolle: Korrupsioni dhe protestat vënë nën presion

Ajo që ka çuar në kulm pakënaqësinë sociale ka qenë një projekt i lidhur me Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, për ndërtimin e një resorti të madh luksoz.

Investimi prej 1.4 miliardë dollarësh prek ishullin e Sazanit, një rezervë natyrore e mbrojtur, e njohur për praninë e tufave të mëdha të flamingove, si dhe për pozicionin e saj të favorshëm gjeografik në Mesdhe, me akses të lehtë drejt kontinenteve europian, afrikan dhe aziatik.

“Shqipëria nuk shitet”, është një prej sloganeve të pranishme në manifestime, të cilat shqiptarët i kanë pagëzuar si “revolucioni i flamingove”.

Kryeministri ka argumentuar se administrata e tij nuk po u jep tokë publike të huajve, por se investitorët e kanë blerë tokën nga pronarë privatë. Ai ka deklaruar se do të jetë një vlerësim i ndikimit në mjedis dhe “jo rruga dhe ideologjia” ai që do të përcaktojë të ardhmen e projektit, për të cilin ka garantuar se do të respektojë kërkesat mjedisore të Bashkimit Europian.

Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian në vitin 2030, por për ta arritur këtë duhet të përafrojë kuadrin e saj ligjor me atë të BE-së, përfshirë fushën e qëndrueshmërisë, luftën kundër korrupsionit dhe garancitë demokratike.

Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 dhe që në vitin 2017 dyshimet për manipulim zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të atij viti nxitën një prej protestave më të rëndësishme të viteve të fundit, sipas Carnegie Endowment for International Peace.

Media spanjolle: Korrupsioni dhe protestat vënë nën presion

Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, në vitin 2025, lideri kontrovers arriti të përmirësonte rezultatin e tij deri në atë pikë sa të siguronte më shumë se gjysmën e votave.

Nëse pakënaqësia sociale dhe çështjet gjyqësore nuk sjellin përfundimin e parakohshëm të legjislaturës, zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në vitin 2029. Deri atëherë, kreu i opozitës, ish-kryeministri konservator Sali Berisha, do të ketë mbushur 85 vjeç.

Për momentin, Rama refuzon të japë dorëheqjen dhe vazhdon me agjendën e tij intensive ndërkombëtare. Vetëm këtë javë ai priti presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Politikani socialist është treguar pragmatist në politikën e jashtme dhe mes aleatëve të tij gjenden liderë me profile kaq të ndryshme sa Pedro Sánchez, Giorgia Meloni, Mohammed bin Salman dhe Benjamin Netanyahu./The Objective/

Lexo gjithashtu

Video

Një prej prindërve të 20 fëmijëve që shfaqën simptoma helmimi në një kopsht në Korçë ka rrëfyer momentet e ankthit. Ai tregon se pasi mori djalin nga kopshti, fëmija nisi të kishte dhimbje barku dhe të vjella, ndërsa më pas humbi fuqinë dhe u zverdh. Familja e dërgoi menjëherë në spital, ku mësoi se edhe fëmijë të tjerë kishin shfaqur simptoma të ngjashme.

Edhe Shakira mahnitet nga Dua Lipa! Dy yje botërore në të njëjtën skenë! Gjatë koncertit në Madrid, Shakira dhe Dua Lipa ndanë skenën për disa momente, ndërsa këngëtarja kolumbiane nuk e fshehu entuziazmin për artisten shqiptare. Një takim që ndezi publikun dhe bëri bashkë dy prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore.

Një balonë gjigante ilegale, me lartësi mbi 50 metra, ka shpërthyer në ajër mbi São Paulo të Brazilit. Struktura e mbushur me fishekzjarre u ça papritur, duke shkaktuar shpërthime të rrezikshme dhe re të mëdha mbetjesh. Lëshimi i këtyre balonave përbën një traditë të paligjshme që shkel rregullat e sigurisë. Këto mjete amatore prej letre dhe plastike përbejnë një kërcënim të madh për mjedisin dhe transportin. Në raste të ngjashme, ato kanë detyruar mbylljen e hapësirës ajrore pranë aeroporteve kryesore. Rrëzimi i tyre në tokë sjell gjithashtu një rrezik të lartë për shpërthimin e zjarreve masive.

Gazetarët izraelitë u përplasën me zyrtarët irlandezë të medias gjatë një konference të tensionuar për shtyp, duke bërë që ndeshja Izrael–Irlandë të zhvillohet në Serbi dhe jo në Dublin

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news