
Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 24 nëntor për shqyrtimin e ankimit të Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me sekuestrimin e telefonave të saj nga SPAK.
Xoxa i është drejtuar Kushtetueses duke kundërshtuar vendimet e gjykatave të posaçme, të cilat kanë lënë në fuqi sekuestrimin e dy aparateve celularë gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas ankimit, sekuestrimi dhe këqyrja e telefonave cenojnë të drejtat kushtetuese, përfshirë privatësinë dhe fshehtësinë e komunikimeve.
Çështja do të shqyrtohet në seancë plenare, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të përcaktojë nëse veprimet e kryera gjatë hetimit kanë respektuar garancitë kushtetuese.
Ajola Xoxa është nën hetim nga SPAK në kuadër të dosjes ku përfshihet edhe bashkëshorti i saj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas dosjes zyrtare të SPAK, ndaj Ajola Xoxës janë ngritur katër akuza penale. Ajo akuzohet për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, të kryer në bashkëpunim, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, si dhe fshehje të të ardhurave. Ndaj saj rëndon gjithashtu akuza për refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë.






















