
Tre shqiptarë dhe një shtetas kolumbian janë arrestuar dhe konsiderohen nga autoritetet italiane si drejtuesit e revoltës së dhunshme të shpërthyer në burgun Don Bosco të Pisas, e cila nisi mbrëmjen e 30 shtatorit dhe vazhdoi deri në orët e para të 1 tetorit. Një pjesë e trazirave u transmetua drejtpërdrejt në TikTok nga brenda burgut.
Gjykatësi i hetimeve paraprake në Pisa, Domenico Vatrano, ka konfirmuar arrestimet dhe ka vendosur masën e paraburgimit për Ilber Arshi, 39 vjeç, Andea Petroniq, 43 vjeç, Daniel Myrtaj, 24 vjeç, të tre shqiptarë, si dhe Jerson German Bolanos, 39 vjeç, shtetas kolumbian.
Katër të arrestuarit akuzohen se kanë drejtuar revoltën brenda burgut, duke përdorur dhunë, kërcënime dhe duke kundërshtuar urdhrat e Policisë Penitenciare.
Autoritetet kanë identifikuar deri tani edhe 16 të burgosur të tjerë që dyshohet se morën pjesë në revoltë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Një nga elementet më të pazakonta të ngjarjes ishte transmetimi i revoltës drejtpërdrejt në TikTok. Sipas mediave italiane, ishte shqiptari Daniel Myrtaj ai që përdori një telefon celular të mbajtur në mënyrë të paligjshme në burg për të transmetuar pamje nga qelitë, korridoret dhe barrikadat. Për këtë arsye, ndaj 24-vjeçarit rëndon edhe akuza për përdorimin e paligjshëm të telefonit celular brenda institucionit penitenciar.
Revolta raportohet se shpërtheu pasi Myrtaj gjeti një pajisje përgjimi të fshehur në dyshekun e qelisë së tij. Gjatë transmetimeve, të burgosurit pretendonin se po përgjoheshin dhe denonconin gjithashtu kushtet brenda burgut. Protesta më pas u përshkallëzua, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin ku ndodheshin qelitë.
Të katër personat e konsideruar si drejtues të revoltës akuzohen edhe për dëmtim të pronës, për shkak të shkatërrimeve të shkaktuara në repart. Pas arrestimit, ata janë transferuar në burgje të tjera të Toskanës.






















