
Pasi u mor në pyetje për disa orë mbrëmjen e së enjtes, kompozitori Adrian Hila do të hetohet në gjendje të lirë për akuzën “ndërhyrje e padrejtë në jetën e tjetrit”.
Hila është në qendër të një skandali seksual që ka trazuar opinionin publik ditët e fundit, për shkak se ai ka filmuar pa dijeninë e tyre disa personazhe të botës së artit, teksa kryente marrëdhënie seksuale me ta. Pamje të cilat përfunduan në një faqe pornografike dhe u shpërndanë mijëra herë përmes aplikacioneve të ndryshme.
Në dëshminë e dhënë para policisë, Hila ka pretenduar se kamerat në studion e tij i ka montuar për shkak të ngjarjeve që kishte pasur në zonë, ku kishin ndodhur vjedhje të shumta. Ndërsa mohon kategorikisht t’i ketë shpërndarë ato.
Policia, ndërkohë, ka marrë në pyetje edhe një nga këngëtaret që shfaqet teksa kryen marrëdhënie me Hilën, e cila ka deklaruar se nuk kishte dijeni që po filmohej, por ka mbrojtur kompozitorin, për të cilin ka thënë se “nuk i ka shpërndarë ai videot”.
Hetuesit e krimit kibernetik janë duke punuar për të zbuluar se si videot u shpërndanë dhe nëse ishte vërtet hakerim apo publikimi u bë për arsye shantazhi dhe përfitimi.






















