
Kompozitori Adi Hila pritet të merret në pyetje këtë të enjte nga policia, në kuadër të hetimeve të nisura pas publikimit të materialeve intime që përfshijnë disa artiste. Hila është kontaktuar një mbrëmje më parë nga policia dhe është njoftuar për nisjen e hetimit kryesisht.
Gjatë komunikimit me efektivët, kompozitori ka bërë të ditur se nuk ndodhej në Tiranë, ndërsa është shprehur i tronditur nga situata. Ai ka deklaruar se sapo të kthehet në kryeqytet do të paraqitet në polici për të dhënë dëshminë dhe versionin e tij mbi mënyrën se si materialet kanë përfunduar në publik.
Policia ka kontaktuar gjithashtu personat e prekur nga publikimi i videove, të cilët pritet të japin deklarimet e tyre. Në një fazë të mëvonshme të hetimit pritet të merret në pyetje edhe gazetari Elton Tozaj.
Ndërkohë, specialistët e Krimit Kibernetik pritet të kryejnë ekspertimin e plotë të sistemit të kamerave dhe të pajisjes DVR ku ruheshin materialet, me qëllim përcaktimin e mënyrës se si videot kanë rënë në duart e personave të paautorizuar.
Një nga pistat paraprake që po verifikohet është ndërhyrja e paautorizuar në sistem. Hetuesit pritet të kontaktojnë edhe platformën ku janë publikuar materialet, me synim identifikimin e përdoruesit që i ka ngarkuar, ndërsa po kontrollohen edhe faqe të tjera ku ato mund të jenë shpërndarë.






















