
Shoqata e Prokurorëve ka kundërshtuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke paralajmëruar se ato mund të dobësojnë efektivitetin e hetimeve dhe të ndjekjes penale, veçanërisht në çështjet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Sipas Shoqatës, ndërhyrjet e parashikuara rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet për mbledhjen e provave dhe të krijojnë pengesa për zgjerimin e hetimeve kur gjatë procedimit dalin fakte të reja të lidhura me çështjen.
Prokurorët ngrenë shqetësime edhe për parashikimet që lidhen me zbulimin e provave që në fazat e hershme të procedimit, kufizimin e masave të sigurimit personal, si dhe ndryshimet që prekin pavlefshmërinë e akteve dhe papërdorshmërinë e provave. Sipas tyre, këto ndërhyrje mund të cenojnë ruajtjen e provave, sekretin hetimor dhe efektivitetin e hetimit.
Shoqata vlerëson se ndryshimet në procedurën penale duhet të mbështeten në analiza të thelluara dhe në një vlerësim të plotë të ndikimit të tyre. Ajo kërkon gjithashtu që të ruhet roli drejtues i prokurorit në hetim, ndërsa kontrolli gjyqësor të vijojë të shërbejë si garanci për ligjshmërinë dhe respektimin e të drejtave të individit.
Në përfundim, Shoqata e Prokurorëve kërkon një proces konsultimi real dhe gjithëpërfshirës, me kohën e nevojshme për debat profesional, ndërsa njofton se do të vijojë analizën e detajuar të projektligjit.






















