Nuk është hera e parë që pushteti në Shqipëri “zbulon” garancitë procedurale në momentin kur drejtësia fillon të trokasë në derën e tij. Por është hera e parë që ky zbulim vjen i paketuar kaq mirë: 106 nene, të marra me kujdes nga reformat italiane të viteve të fundit, të veshura me fjalorët e Strasburgut dhe të Brukselit, ndërkohë që iniciativa politike mban firmën e kryeministrit. E gjitha, sot u shpalos befas, para syve të prokurorëve të SPAK dhe ndërkombëtarëve që kanë mbështetur luftën ndaj korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar.
Le të nisim me atë që duhet thelbësisht pranuar, sepse një kritikë që nuk e pranon atë që është e drejtë nuk meriton të dëgjohet. Paraburgimi në Shqipëri është përdorur për vite si rregull dhe jo si përjashtim. Në fakt më shumë për të vobektët dhe jo kriminelët me kollare dhe jaka të bardha. Vetë Rama ka qenë promotori kryesor i shtetit policor që krijoi që sapo erdhi në pushtet në 2013. Vendimet për masat e sigurimit janë shpesh kopje të kërkesës së prokurorit. Personat e arrestuar janë ekspozuar me pranga para kamerave. Deklarimet merren pa regjistrim audio apo video, dhe prezumimi i pafajësisë shpesh humbet në komunikatat institucionale. Një pjesë e projektit u përgjigjet këtyre problemeve reale, dhe këto dispozita duhen mbrojtur.
Por një reformë nuk gjykohet nga dispozitat e saj më të mira. Gjykohet nga ajo që prodhon kur të gjitha dispozitat e saj veprojnë bashkë dhe sidomos kur pikaset ndër detaje “djalli i fshehur”. Kur lexon këtë projekt si një të tërë, pyetja nuk është më nëse ai mbron të drejtat e të pandehurit. Pyetja më korrekte do ishte se cilin të pandehur mbron më shumë. Përgjigjja nuk është qytetari i zakonshëm i akuzuar për një vjedhje, i cili rrallë përgjohet (asnjëherë madje), rrallë i sekuestrohet celulari (nuk ka ndodhur deri më tani) dhe s’ka para për garanci pasurore. Përgjigjja është se kjo reformë është qepur si kostum për zyrtarin e lartë qeveritar, ministrin, kryebashkiakun, biznesmenin e tenderave e sigurisht edhe për anëtarët e krimit të organizuar: pikërisht ata që janë klientela e SPAK-ut!
Le ti shohim gjërat pak më në detaj, për të kuptuar dhe “djallin” që fshihet në to. Më poshtë janë 9 pika që “fshehin” djallin:
I. Një transplant selektiv
Edi Rama duket se e ka marrë modelin nga Italia. Ky nuk është problem në vetvete: Kodi ynë i vitit 1995 ka lindur pikërisht nga ai italian. Problemi është se çfarë është marrë dhe çfarë është lënë jashtë.
Nga Italia janë marrë garancitë e reja: tavani kohor i përgjimeve, marrja në pyetje para masës, kufizimet e publikimit, kontrolli gjyqësor mbi celularët. Por nuk është marrë ajo që në Itali i balancon këto garanci: një sistem i dyfishtë, i ndërtuar gjatë dekadave, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni i rëndë qeveritar trajtohen me rregulla hetimore më të gjera dhe më të sofistikuara se krimi i zakonshëm. Italia, që nga viti 2019, ka shtrirë tek veprat më të rënda kundër administratës publike (ndër to dhe korrupsionin) regjimin e përgjimeve të krimit të organizuar. Projekti shqiptar i Edi Ramës, bën të kundërtën: e fut korrupsionin, në pjesën më të madhe të figurave të tij, në të njëjtin kazan me vjedhjen e biçikletës.
E pra, kjo është hileja parë e Ramës: merr nga modeli i huaj vetëm kufizimet dhe lë jashtë kundërpeshat. Në këtë mënyrë ai nuk po përshtat apo reformon modelin e Kodit të Procedurës Penale por po përzgjedh e dikton rezultatin e hetimeve aktuale dhe të ardhshme të SPAK.
II. Efekti pengues i gërshërës së kohës
Hetimi i korrupsionit është, para së gjithash, një garë me kohën. Skemat zbulohen vite pasi janë kryer, autorët identifikohen gradualisht, dhe parashkrimi është gjithmonë më afër se sa duket. Projekti e prek këtë garë në të dy skajet.
Në një anë, e shkurton kohën në dispozicion. Prokurori detyrohet të regjistrojë çdo person "sapo" ka elemente për të, dhe i hetuari fiton të drejtën t’i kërkojë gjykatës ta çojë datën e regjistrimit prapa ne kohe. Pasoja është brutale: provat e marra para regjistrimit "të vonuar" bëhen të papërdorshme dhe afatet e hetimit rillogariten. Kështu, ndërkohë që SPAK-ut i duhet kohë të hetojë, afati që parashikon ky projktligj, ia “pret këmbët” SPAK-ut. Çdo hetim kompleks do të shndërrohet në një debat retrospektiv mbi atë që prokurori "duhej të kishte kuptuar" në një moment të dhënë, ndërkohë që i ka dalë apo është bërë me dijeni vetëm muaj më vonë.
Nga ana tjetër, e zgjat kohën që kërkon çdo veprim. Hetimi bëhet i lidhur me faktin e regjistruar, dhe çdo fakt i ri kërkon regjistrim të ri. Celulari kërkon javë për t’u lexuar. Çdo sekuestro kërkon vleftësim gjyqësor. Mbi tridhjetë raste të reja pavlefshmërie parashikon ky projektligj, të ngritshme në çdo shkallë hetimi apoi gjykimi. Këto mund ta kthejnë çështjen prapa edhe pas vitesh, pa asnjë pezullim të parashkrimit. Mbrojtja e një të pandehuri që ka para dhe shumë avokatë nuk ka nevojë të bëjë debat e të fitojë mbi provat dhe faktet. I mjafton të presë dhe ta fusë procesin në labirintin e pafundmë të procedurave formale.
III. Përgjimi që kërkon provën që duhet të gjejë!!
Korrupsioni është krim pa një viktimë konkrete që të ankohet: të dy palët në koprrupsion fitojnë, dhe natyrshëm të dy heshtin. Prandaj përgjimi, në këto çështje, nuk është mjeti i fundit, por shpesh i pari. Projekti kërkon tani, për ta autorizuar, "të dhëna të rëndësishme, bazuar në prova konkrete dhe të verifikueshme" se personi ka kryer veprën. Kjo është fjalë për fjalë standardi që i njëjti projekt kërkon për ta arrestuar atë.
Paradoksi është i qartë për këdo që ka hetuar ndonjëherë: përgjimi bëhet i arritshëm vetëm kur nuk nevojitet më. Mbi këtë vendoset një tavan prej 45 ditësh për shumicën e veprave, përfshirë pastrimin e parave të krimit të organizuar dhe një pjesë të veprave të korrupsionit. Një tender zgjat muaj, një skemë zgjat vite. Zyrtari që e njeh ligjin do të mësojë shpejt një rregull të thjeshtë: mjafton të pushosh gjashtë javë dhe SPAK nuk të përgjon dot më se ky ligj ia ndalon.
IV. Katër porta për të shkuar te celulari
Sot, arkivi i vërtetë i korrupsionit nuk është në zyrë. Është në xhep. Projekti ka të drejtë kur kërkon kontroll gjyqësor për aksesin në celular: kopjimi i plotë i jetës private të një personi pa asnjë filtër është problem real. Por zgjidhja e zgjedhur e shndërron çdo telefon në një maratonë procedurale me katër vendime gjyqësore, nga sekuestrimi te përdorimi i fundit i provës.
Problemi më i madh nuk janë vetëm afatet. Janë filtrat. Gjykata duhet të përcaktojë paraprakisht aplikacionet, periudhën dhe fjalët kyçe. Por korrupsioni nuk flet me fjalë kyçe. Flet me kode, me pseudonime, me aplikacione të enkriptuara. Çdo gjë që gjendet jashtë filtrit kërkon kërkesë të re, dhe çdo vepër e re kërkon regjistrim të ri. Zbulimi i një rasti, nga i cili më pas janë hapur shumë nga çështjet më të rëndësishme të viteve të fundit, praktikisht ndalohet (psh rasti i skyECC).
V. Liria mund blihet ligjerisht me para (korrupsioni)
Reforma e masave të sigurimit ka motivimin më të besueshëm të gjithë projektit, dhe pikërisht për këtë arsye duhet lexuar me kujdes. Arresti në burg ndalohet për veprat me maksimum nën pesë vjet dhe kurdo që gjykata parashikon, që në fillim të procesit, një dënim deri në tre vjet. Rreziku për provën duhet të jetë "konkret dhe aktual", ndërkohë që presioni i një eprori mbi vartësit e tij rrallë lë gjurmë para se dëmi të jetë kryer.
Garancia pasurore bëhet e detyrueshme si alternativë ndaj arrestit. Mund të depozitohet edhe nga të tretë, dhe asnjë dispozitë nuk kërkon të verifikohet burimi i parave. Në një vend ku objekti i hetimit janë pikërisht të ardhurat e pajustifikuara, kjo do të thotë se produkti i veprës mund të financojë lirinë e autorit të saj.
Dhe së fundmi, dispozita kalimtare i detyron gjykatat të rishikojnë të gjitha masat në fuqi brenda 60 ditëve, sipas standardeve të reja. Kjo nuk është një detaj teknik. Është një derë e hapur për lirime në çështjet me profil më të lartë, të cilat publiku do t’i perceptojë si dështim i SPAK-ut, jo si efekt i ligjit.
VI. Dosja e hapur - befasia e humbur
Projekti e detyron prokurorin t’ia njoftojë personit se po hetohet sapo kjo "nuk përbën më rrezik", dhe e sanksionon me pavlefshmëri çdo vlerësim të gabuar. I jep të hetuarit akses në akte edhe para akuzës, dhe nëse gjykata nuk vendos brenda 48 orëve, aksesi jepet automatikisht. Pas akuzës, çdo provë e re duhet t’i njoftohet të pandehurit menjëherë.
Në një çështje me një të pandehur të vetëm, kjo është garanci. Në një çështje korrupsioni me një rrjet, ku disa janë akuzuar dhe të tjerë ende hetohen, kjo është një harta e hetimit e dërguar drejtpërdrejt te ata që ende nuk janë kapur.
Njëkohësisht, projekti ndalon çdo teknikë që synon ta nxisë të hetuarin "të bashkëpunojë me prokurorin". Bashkëpunimi me drejtësinë është instrument i ligjshëm i Kodit dhe është motori i shumë çështjeve të mëdha. Një formulim kaq i gjerë e kthen çdo bisedë për këtë instrument në shkelje të mundshme.
VII. Prokurori që hesht - i pandehuri që flet
Projekti ndalon shpërndarjen e akteve edhe përmes faqeve zyrtare të institucioneve, ndalon publikimin e vendimeve për masat e sigurimit dhe e lejon komunikimin e prokurorisë vetëm kur është "rreptësisht i nevojshëm". Deri këtu, projekti ndjek standardet evropiane, edhe pse me zell të tepërt. Por pastaj bën një hap që nuk e gjen në asnjë standard evropian: heqja e sekretit nga prokurori kërkon pëlqimin e të pandehurit. Wtf ??!
Me fjalë të tjera, i hetuari vendos se çfarë mund të mësojë publiku për hetimin ndaj tij. Ndërkohë, ai dhe mbrojtja e tij ruajnë të drejtën të tregojnë publikisht "këndvështrimin e tyre për ngjarjet". Në një mjedis ku çdo hetim ndaj një zyrtari shpallet menjëherë "përndjekje politike", ky nuk është neutralitet. Është një mikrofon i dhënë një pale të vetme.
Për shtypin nuk parashikohen gjëra më të këndshme. Gazetarët që zotërojnë tashmë dokumente të një procedimi do të duhet të kërkojnë autorizim gjyqësor paraprak për t’i botuar, dhe ankimi për refuzimin e informacionit i hiqet Komisionerit për të Drejtën e Informimit. E kështu një “licencë gjyqësore” për të botuar nuk është mbrojtje e prezumimit të pafajësisë. Është kontroll paraprak mbi shtypin.
VIII. Interesi publik nuk është interesi i të hetuarit
Asnjë nga dispozitat e mësipërme, marrë veçmas, nuk e bën hetimin të pamundur. Kjo është edhe arsyeja pse Rama do ta mbrojë projektin dispozitë për dispozitë, me argumentin se secila ka një paralele diku në Evropë. Por një ligj nuk vlerësohet e zbatohet nen për nen. Zbatohet i tëri, në të njëjtën çështje, kundër të njëjtit të pandehur. Dhe kur zbatohet i tëri, ai prodhon një prokurori që ka më pak kohë, më pak mjete, më pak zë dhe më shumë frikë, pikërisht përballë atyre që kanë më shumë kohë, më shumë mjete, më shumë zë dhe asnjë frikë.
SPAK nuk është i pacenueshëm nga kritika dhe nuk duhet të jetë. Ai duhet kontrolluar, kritikuar dhe, kur gabon, korrigjuar. Por kontrolli mbi një institucion hetimor bëhet përmes gjykatave, llogaridhënies dhe transparencës, jo përmes çarmatimit procedural të tij. Një shoqëri që ka paguar kaq shtrenjtë reformën në drejtësi, dhe që e ka vënë atë në themel të rrugës së saj evropiane, ka të drejtë të pyesë pse ky çarmatim propozohet tani, kur hetimet kanë arritur në nivelet më të larta të pushtetit.
Në negociatat për anëtarësim, shteti i së drejtës është kapitulli që hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Një reformë që dobëson kapacitetin kundër korrupsionit të nivelit të lartë nuk mund të paraqitet si përafrim me standardet evropiane vetëm sepse fjalori i saj është evropian.
IX. SPAK-un e procedon ILD dhe e heton prokuroria e zakonshme!!
Së fundmi, projekti shpërndan në dhjetëra nene përgjegjësi disiplinore për prokurorin dhe gjyqtarin, dhe në disa raste edhe përgjegjësi civile personale. Gjyqtari mund të ndëshkohet disiplinarisht sepse arsyetimi i tij nuk konsiderohet mjaftueshëm "i pavarur". Oficeri i policisë gjyqësore mund të ndëshkohet për "abuzim me kuptimin e flagrancës", "pavarësisht efektivitetit të procedimit". Çdo palë e prekur mund të iniciojë procedim disiplinor, padi ose kallëzim.
Hyn në “lojë” pra brenda dhe gjatë procesit gjyqësor Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Projekti nuk kufizohet të shtojë shkelje disiplinore. Në nenin 24 e përmend ILD-në me emër si organin që nis procedimin për çdo shkelje të rregullave të zbulimit të provave, dhe në nenin 104 i jep çdo të pandehuri të drejtën ta vërë atë në lëvizje. ILD është një organ monokratik, i zgjedhur nga Kuvendi, pra me natyrë të qartë politike. Me këtë projekt, ai merr në dorë një numër të madh shkaqesh të reja disiplinore, të formuluara me koncepte të gjera si "vlerësimi i pavarur" ose "njoftimi në kohën kur nuk përbën më rrezik". Në thelb, këto janë vlerësime mbi vetë veprimtarinë hetimore të prokurorëve dhe gjyqësore të gjyqtarëve. Një procedim disiplinor ndaj një prokurori apo gjyqtari që po heton a gjykon një rast korrupsioni p.sh., nuk ka nevojë të përfundojë me shkarkim për të prodhuar efektin e tij. Mjafton të hapet, të zgjasë, të përmendet në media dhe të përdoret nga mbrojtja si argument për përjashtimin e prokurorit nga çështja.
Për një të pandehur të zakonshëm, këto janë mjete që nuk i përdor kurrë. Por për një të pandehur të SPAK-ut, me avokatë të shumtë dhe me para e media pa kufi, ato janë një strategji. Ankesa në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë kushton pak dhe lodh shumë. Një prokuror që e di se çdo vendim i tij mund të kthehet në çështje personale nuk bëhet më i drejtë. Bëhet më i kujdesshëm për veten. Dhe prokurori “i kujdesshëm” për veten është pikërisht ai që korrupsioni i madh ka nevojë.
Pika më e rrezikshme e projektit nuk është në kapitujt e gjatë për përgjimet apo celularët. Është në një pasazh të vetëm, të shtuar pothuajse në heshtje në nenin 75/a. Sipas tij, akuzat ndaj prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarëve të GJKKO-së, për çdo vepër jashtë korrupsionit dhe krimit të organizuar, kalojnë te gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, sipas kompetencës tokësore. Dhe meqenëse kompetenca e SPAK-ut është e lidhur me kompetencën e gjykatës së posaçme, pasoja është e drejtpërdrejtë: prokurorët dhe gjyqtarët e sistemit antikorrupsion do të hetohen nga prokuroria e zakonshme e rrethit ku ndodhet fakti. Pikërisht nga ai sistem prej të cilit Kushtetuta, me nenet 135 dhe 148/4, vendosi t'i nxjerrë si çështje të posaçme, sepse nuk e konsideronte mjaftueshëm të mbrojtur nga ndikimi. Arkitektura kushtetuese e reformës së 2016 nuk është një listë kompetencash që ligjvënësi i zakonshëm mund ta shkurtojë sipas nevojës. Është një sistem i mbyllur, ku pavarësia e prokurorit të posaçëm mbrohet edhe duke përcaktuar kush mund ta ndjekë atë penalisht. Të pandehurit e SPAK-ut, me një kallëzim për "shpërdorim detyre" ose "falsifikim" ndaj prokurorit që i heton, do të kishin tani një rrugë të re: ta çojnë atë para një prokurorie dhe një gjykate vendore, ku pesha e tyre lokale mund të jetë shumë më e madhe se në Tiranë. Një prokuror që heton një kryebashkiak, dhe që e di se mund të përfundojë vetë i hetuar në qytetin e atij kryebashkiaku, nuk është më një prokuror i pavarur. Është një prokuror që duhet të llogarisë.
Kështu pra, kur të dy këta mekanizma, hetimin penal nga prokuroria e zakonshme dhe procedimin disiplinor përmes ILD-së, i vënë në lëvizje nga vetë të hetuarit, pavarësia e prokurorit të SPAK-ut dhe gjyqtarit të GJKKO, nuk shfuqizohet me ligj. Ajo gërryhet ditë pas dite, kallëzim pas kallëzimi.
Si përfundim, analiza e qetë dhe e kthjellët e asaj çka Rama propozoi sot befas, fsheh pikërish këta djaj. Sigurisht veshur bukur me plot fjalë europiane mbi garancitë për të pandehurit. Sigurisht, që një propozim i arsyeshëm nuk është të hidhet poshtë gjithçka. Por është e domosdoshme të ndahet ajo që mbron qytetarin nga ajo që mbron pushtetin. Një reformë që mbron të drejtat e të pandehurit është shenjë e një demokracie të pjekur. Një reformë që, në emër të këtyre të drejtave, i jep pushtetit kohë, heshtje dhe mbrojtje përballë institucionit që e heton, është diçka tjetër. Pyetja që ky projekt duhet të përballojë së paku në publik nuk është nëse garancitë janë të mira. Është, thjesht: garanci për kë?






















