Një ngjarje e rëndë raportohet në fshatin Akërni, ku një 70-vjeçare dyshohet se është sulmuar, grabitur dhe dhunuar seksualisht brenda banesës së saj. Policia ka shpallur në kërkim një 43-vjeçar, i cili dyshohet si autor i ngjarjes.
Sipas të dhënave të policisë, ngjarja ka ndodhur më 26 shtator. I dyshuari, 43-vjeçari me inicialet F. Y., banues në Akërni dhe në të njëjtin pallat me të moshuarën, dyshohet se ka trokitur në derën e banesës së saj.
Pasi 70-vjeçarja i ka hapur derën, ai dyshohet se e ka goditur me sëpatë në kokë, duke bërë që e moshuara të humbiste ndjenjat.
Më pas, sipas dyshimeve të hetuesve, 43-vjeçari ka kontrolluar banesën dhe ka marrë rreth 700 mijë lekë të vjetra që ndodheshin aty.
Hetimet kanë ngritur dyshime se, përpara se të largohej nga banesa, i dyshuari ka kryer edhe marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj 70-vjeçares.
Pas denoncimit të rastit, policia ka marrë në pyetje të moshuarën, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe sëpata që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit.
43-vjeçari F. Y. është shpallur në kërkim dhe strukturat e policisë po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sipas burimeve policore, i dyshuari dyshohet gjithashtu se është përdorues i lëndëve narkotike.






















