
Nga Strasburgu, Sali Berisha zgjodhi të vendosë në qendër të fjalimit të tij lirinë e medias dhe pluralizmin në Shqipëri, ndërsa jashtë diskutimit mbeti një prej çështjeve më sensitive, skandalin që ka përfshirë SHISH-in dhe komunikimet e ish-drejtueses së tij, Vlora Hyseni, me Ergys Agasin.
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Berisha deklaroi se mbi 90% e mediave shqiptare kontrollohen nga qeveria dhe interesa ekonomike të lidhura me të, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, përballet me presione, sulme dhe gjoba.
“Raportet më serioze ndërkombëtare dëshmojnë se në Shqipëri mbi 90% e mediave, përfshirë mbulimin e lajmeve, debatet dhe editorialet, kontrollohen nga kryeministri, narkoqeveria e tij dhe bizneset e oligarkëve të tij”, deklaroi Berisha.
Kreu demokrat shkoi deri aty sa ta cilësonte kontrollin e pretenduar mbi median si një “teknologji sundimi”, që e bën pluralizmin politik fiktiv.
Por përtej asaj që Berisha tha në Strasburg, po aq domethënëse është ajo që zgjodhi të mos fliste.
Kreu i opozitës ndodhej përpara një audience ndërkombëtare pikërisht në një moment kur në Shqipëri ka shpërthyer një çështje që prek një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, SHISH-in dhe komunikimet e raportuara të ish-drejtueses së tij, Vlora Hyseni, me Ergys Agasin.
Në vend që një çështje të cilën vetë opozita e ka trajtuar si një skandal me pasoja për sigurinë kombëtare ta vendoste në qendër të fjalimit dhe t’i jepte jehonë përtej kufijve të Shqipërisë, Berisha zgjodhi t’i kushtonte tribunën europiane një beteje tashmë të njohur të politikës së brendshme, raportit të qeverisë me mediat.
Pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi. Në Tiranë, Berisha ka ngritur alarmin për ndikimin e pretenduar të Ergys Agasit dhe për atë që çështja mund të tregojë mbi funksionimin e institucioneve të sigurisë. Në Strasburg, ku këto pretendime mund t’i paraqiteshin drejtpërdrejt një audience europiane dhe të merrnin një tjetër peshë politike, ato nuk u bënë boshti i fjalimit të tij.
Problemi i lirisë së medias mbetet një çështje legjitime për t’u diskutuar në Këshillin e Europës. Por zgjedhja e prioriteteve politike merr rëndësi kur një lider opozite ka vetëm pak minuta në dispozicion për t'i treguar Europës se çfarë konsideron si problemin më të rëndë të vendit të tij.
Dhe Berisha zgjodhi të fliste për mediat. Ndërsa skandali i SHISH-it dhe emri i Ergys Agasit mbetën në Shqipëri, në Strasburg Berisha mori me vete retorikën e tij të zakonshme kundër qeverisë dhe kontrollit të pretenduar të medias.






















