Politika 2026-09-30 14:04:00 Nga VNA

PS heq dorë nga imuniteti për Guvernatorin, Milva Ekonomi firmos nismën e re që lë jashtë mbrojtjen nga arrestimi

Ndaje në Whatsapp

PS heq dorë nga imuniteti për Guvernatorin, Milva Ekonomi firmos

Dy muaj pasi Ministria e Financave hodhi për konsultim një ligj të ri për Bankën e Shqipërisë që parashikonte mbrojtje të posaçme nga arrestimi dhe kontrollet për Guvernatorin dhe Zëvendësguvernatorët, një nismë e re e deputetëve socialistë nuk e përmban më këtë dispozitë. 

Projektligji i siguruar nga VNA, mban firmën e deputetes Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ndërsa krahasimi i dy teksteve tregon se neni 72 i draftit të korrikut, që kërkonte autorizimin e Gjykatës Kushtetuese për arrestimin apo kontrollin e drejtuesve të Bankës Qendrore, nuk është përfshirë në paketën e re.

Mazhoranca socialiste nuk e ka përfshirë në ndryshimet e reja të ligjit për Bankën e Shqipërisë mbrojtjen e posaçme procedurale për Guvernatorin dhe Zëvendësguvernatorët, e cila vetëm pak muaj më parë ishte propozuar në një projektligj të ri integral për Bankën Qendrore.

Nisma e re është paraqitur nga deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe në dokumentin e depozituar në Kuvend më 25 shtator 2026, ku firmëtare figuron Milva Ekonomi, deputete e PS-së dhe kryetare e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

Më 15 korrik 2026, Ministria e Financave kishte publikuar për konsultim projektligjin e ri integral “Për Bankën e Shqipërisë”. 

Konsultimi qëndroi i hapur deri më 12 gusht. Në atë draft, neni 72, “Dispozita të veçanta për administratorët”, vendoste një mbrojtje të posaçme për drejtuesit më të lartë të Bankës së Shqipërisë.

Sipas dispozitës së propozuar, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestoheshin ose privoheshin nga liria dhe as t'i nënshtroheshin kontrollit personal apo të banesës pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese. Përjashtim parashikohej në rast flagrance ose ndjekjeje menjëherë pas kryerjes së një krimi.

Mbrojtja procedurale shkonte edhe më tej: prokurori duhej t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për autorizim, ndërsa Gjykata kishte dy javë kohë për të vendosur. Nëse nuk shprehej brenda afatit, kërkesa konsiderohej e refuzuar.

Dy muaj më vonë, nisma e firmosur nga deputetja socialistë, Milva Ekonomi, zgjedh një rrugë tjetër.

Në vend të miratimit të një ligji tërësisht të ri për Bankën e Shqipërisë, projektligji i 25 shtatorit ndërhyn vetëm në disa dispozita të ligjit ekzistues nr. 8269/1997.

 Paketa përmban shtatë nene dhe trajton çështje që lidhen me financimin monetar, kreditimin e sektorit publik, titujt e qeverisë, rezervën e detyruar dhe statusin e drejtuesve të Bankës.

Por mbrojtja nga arrestimi e parashikuar në korrik nuk figuron në nismën e re.

Kjo do të thotë se, nëse miratohet paketa e depozituar më 25 shtator, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk do të fitojnë përmes saj mbrojtjen e propozuar në draftin e korrikut, sipas së cilës arrestimi apo kontrolli i banesës së tyre do të kërkonte më parë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.

Dokumentet tregojnë kështu dy qasje të ndryshme brenda një periudhe prej pak më shumë se dy muajsh: në korrik, drafti integral i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Financave parashikonte mbrojtjen e posaçme; në shtator, nisma parlamentare e socialistëve, e firmosur edhe nga Milva Ekonomi, nuk e përfshin atë.

Dokumentacioni i siguruar nga VNA nuk shpjegon përse dispozita është lënë jashtë dhe as nëse qeveria ka hequr përfundimisht dorë nga projektligji integral i korrikut. Për këtë arsye, krahasimi provon se dispozita mungon në nismën e re, por jo motivin politik apo juridik të këtij ndryshimi.

Pyetja që mbetet është se çfarë ndodhi me nenin 72 mes korrikut dhe shtatorit dhe përse mbrojtja e posaçme e propozuar për Guvernatorin dhe Zëvendësguvernatorët nuk u mor në paketën që socialistët kanë çuar tashmë në Kuvend.

 

 

 

Video

Nuk ka shqetësim më të madh se kur shkërmoqet shteti…

Një pasagjer në fluturimin e Flydubai, ku sipas raportimeve bashkëpiloti goditi me thikë pilotin, u filmua duke dhënë informacion në kohë reale, pak përpara se avioni të ulej në Arabinë Saudite. “Jemi këtu, në mes të një avioni që po rrëzohet”, thotë pasagjeri në hebraisht. “Për momentin jemi nën kontrollin e terroristëve. Jemi pranë aeroportit.” “Kushdo që mund të më dëgjojë, kemi nevojë për ndihmë. Po ulemi në Tabuk, me sa duket në territorin saudit. Një zonë që nuk e njohim.”

Në Komisionin e Ligjeve, deputeti Damian Gjiknuri ka ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësime lidhur me procedurat e ndjekura, si dhe me pasojat që ndryshimet e propozuara mund të sjellin për palët e treta.

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene, por për kryeministrin Rama nuk është një ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news