
Këshilli Bashkiak i Belshit ka votuar kundër propozimit për bashkimin e kësaj bashkie me Elbasanin dhe Cërrikun, në kuadër të diskutimeve për Reformën e re Administrativo-Territoriale.
Gjatë një mbledhjeje të gjatë të zhvilluar këtë të hënë, këshilltarët diskutuan mbi ndryshimet e mundshme të organizimit territorial, si dhe efektet që një bashkim me dy bashkitë e tjera mund të sillte për administrimin dhe zhvillimin ekonomik të Belshit.
Në përfundim të votimit, propozimi nuk mori asnjë votë pro. Nga 21 anëtarët e Këshillit Bashkiak, 7 votuan kundër bashkimit, ndërsa këshilltarët e tjerë abstenuan. Gjatë mbledhjes pati edhe debate politike lidhur me mënyrën e votimit të këshilltarëve të mazhorancës.
Një pjesë e diskutimeve u përqendrua te zhvillimi që ka njohur Belshi gjatë viteve të fundit, veçanërisht në sektorët e bujqësisë dhe turizmit. Liqenet e Belshit dhe potenciali natyror i zonës janë konsideruar ndër asetet kryesore për zhvillimin ekonomik të bashkisë.
Qëndrimi i Këshillit Bashkiak të Belshit vjen ndërsa diskutimet për një riorganizim të ri administrativo-territorial janë shtrirë edhe në bashki të tjera të Qarkut të Elbasanit.






















