Këshilli Bashkiak i Maliqit ka kundërshtuar propozimin për bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë, në kuadër të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale të vendit.
Propozimi u shqyrtua gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak, ku këshilltarët diskutuan për ndryshimin e mundshëm të kufijve administrativë. Në përfundim, votimi tregoi një qëndrim pothuajse unanim kundër bashkimit: nga 22 këshilltarë, 21 votuan kundër dhe vetëm një votoi pro.
Me këtë votim, Këshilli Bashkiak i Maliqit ka përcaktuar qëndrimin e tij zyrtar ndaj propozimit. Mendimi i këshillit pritet t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për t’u marrë në konsideratë gjatë shqyrtimit të ndryshimeve të mundshme territoriale.






















