Partia Demokratike ka ashpërsuar tonet ndaj SPAK-ut, duke mos e kufizuar më sulmin vetëm te drejtuesi i institucionit, Altin Dumani. Këtë herë në shënjestër është vendosur edhe prokurori Klodian Braho, i përmendur nga deputetja demokrate Denisa Vata në lidhje me dosjen 184.
Në një lidhje direkte për A2 CNN, Vata deklaroi se nuk mund të pritet drejtësi nga SPAK për çështjen e Vlora Hysenit, duke e lidhur këtë me rolin e Klodian Brahos në hetimet e mëparshme për krimet zgjedhore.
“Këto denoncime që sot dalin, Sali Berisha i ka bërë në vitin 2023. Sali Berisha e ka denoncuar Vlora Hysenin kur ai ishte në arrest shtëpie, pas një dosjeje të fabrikuar nga Edi Rama, Yuri Kim dhe Altin Dumani”, u shpreh Vata.
Deputetja demokrate shkoi më tej, duke akuzuar drejtpërdrejt prokurorin Braho për mënyrën se si është trajtuar dosja 184, një nga dosjet më të përfolura të krimeve zgjedhore në vend.
“Si mundet të prisni një hetim nga SPAK-u kur aty është Klodian Braho? Klodian Braho është prokurori i dosjes 184, dosjes më të rëndë të krimeve zgjedhore, ku ajo u nda nga grup i strukturuar kriminal pikërisht nga zoti Braho”, tha Vata.
Sipas saj, edhe prokurori tjetër i përmendur në këtë çështje, Vladimir Mara, nuk mund të shihet i shkëputur nga hija e dosjes 184, për shkak të lidhjeve familjare që, sipas Vatës, dalin në përgjimet e kësaj dosjeje.
“Dhe zoti Mara, që ishte pjesë e kësaj dosjeje, pasi kunati i tij del në përgjimet e gjykatës për dosjen 184. Po pse, këta do ta bëjnë drejtësinë?”, deklaroi deputetja e PD-së.
Deklarata e Vatës vjen pas sulmeve të përsëritura të Sali Berishës ndaj SPAK-ut dhe Altin Dumanit, duke treguar se linja politike e opozitës po zgjerohet tashmë edhe ndaj prokurorëve të veçantë të institucionit. Në qendër mbetet pretendimi i PD-së se dosjet e mëdha politike dhe zgjedhore nuk janë hetuar deri në fund, ndërsa çështja Hyseni po përdoret si provë e radhës për të vënë në pikëpyetje besueshmërinë e SPAK-ut.






















