
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se po krijon një histori të përsëritur me tenderat publikë me oferta më ekonomike që lihen jashtë ose nuk përzgjidhen, ndërsa kontratat përfundojnë te kompani, emrat e pronarëve të të cilave janë përmendur në dosje apo çështje që lidhen me hetimet e SPAK për aferën e AKSHI-t.
Një tjetër rast që ngre pikëpyetje është tenderi i fundit i KQZ-së me objekt “Moduli i Arkivës së Rezultateve Zgjedhore”, një sistem që do të shërbejë për ruajtjen dhe administrimin e rezultateve zgjedhore. Kontrata i është dhënë kompanisë “InfoSoft System”, në pronësi të Bledar Dhimës dhe Armand Sharës, emra të përmendur në raportimet që lidhen me çështjen “Durana Tech Park”.

Por përtej kompanisë që fitoi tenderin, pikëpyetje ngre edhe vetë mënyra se si është zhvilluar gara. Në procedurën me fond limit 34.3 milionë lekë, ose rreth 373 mijë euro, morën pjesë katër kompani: “ATOM”, me ofertë 24.9 milionë lekë; “InfoSoft System”, me 25.8 milionë lekë; “Icom”, me 23.2 milionë lekë; dhe “Idealdevs Corporation”, me rreth 34 milionë lekë. Në fund, KQZ skualifikoi dy prej subjekteve për mosplotësim të kritereve të tenderit dhe shpalli fituese “InfoSoft System”.
Një prej kompanive të skualifikuara ishte “Icom”, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët në garë, rreth 2.6 milionë lekë më pak se kompania fituese. Sipas dokumenteve të procedurës, ajo u përjashtua për mosngarkimin e dokumentacionit të kërkuar në sistem.
Nëse natyra e dokumenteve të munguara dhe rregullat e procedurës do t'i lejonin KQZ-së të kërkonte sqarimin apo plotësimin e tyre, institucioni mund të kishte shqyrtuar një ofertë dukshëm më ekonomike për buxhetin. Por edhe nëse e konsiderojmë të mirëqenë skualifikimin e “Icom”, historia nuk mbyllet këtu. Përkundrazi, një tjetër pikëpyetje mbetet pezull.

Në garë kishte mbetur “ATOM”, me rreth 1 milionë lekë më të ulët se ajo e “InfoSoft System”. Duke qenë se kjo kompani nuk rezulton e skualifikuar, pyetja që lind është e thjeshtë, përse KQZ nuk zgjodhi ofertën e saj, e cila ishte më ekonomike se ajo e kompanisë që u shpall fituese?
Çfarë e shtyu institucionin e drejtuar nga Ilirjan Celibashi të mos pranonte ofertën më të lirë? Vendimi buron nga kriteret dhe sistemi i vlerësimit të përcaktuar në tender, apo nga një vlerësim tjetër që e bënte “InfoSoft System” ofertuesin e preferuar?
Nëse është kjo e dyta, atëherë pikëpyetjet vetëm sa shtohen. Sepse nuk kemi të bëjmë me një kompani pa histori në kontratat publike.
“InfoSoft System” është një prej kompanive që ka përfituar kontrata në sektorin e teknologjisë së informacionit, përfshirë procedura të lidhura me AKSHI-n. Kompania është në pronësi të Bledar Dhimës dhe Armand Sharës, emrat e të cilët janë përmendur në raportimet për çështjen e njohur si “Durana Tech Park”.


Çfarë është “Durana Tech Park”?
Durana është një park teknologjik dhe shkencor, i krijuar në bazë të ligjit për parqet teknologjike dhe i administruar nga Korporata Shqiptare e Investimeve. Parku është shpallur zonë për zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe subjekteve të regjistruara aty u ofrohet një regjim fiskal i favorshëm, që përfshin lehtësira dhe përjashtime nga tatim-fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale dhe TVSH-ja, sipas parashikimeve ligjore.
Ky mekanizëm u aplikua në një periudhë kur privilegjet fiskale për kompanitë e IT-së po kufizoheshin, në kushtet e rekomandimeve dhe presionit ndërkombëtar për rishikimin e tyre. Për këtë arsye, kritikët e projektit kanë ngritur dyshime nëse Durana është shndërruar në një rrugë alternative për ruajtjen e përfitimeve fiskale për një grup të caktuar kompanish.
Kompanitë dhe përfituesit e dyshuar
Sipas të dhënave të bëra publike, në “Durana Tech Park” janë regjistruar dhjetëra kompani, një pjesë e të cilave janë lidhur në raportimet mediatike me persona të përmendur në dosjen e AKSHI-t. Mes emrave të përmendur në verifikime dhe raportime rezultojnë biznesmenë si Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, si dhe kompani të lidhura me ta.
Po ashtu, në listën e subjekteve të regjistruara janë përmendur kompani të lidhura me Bledar Dhimën, Armand Sharën, Gëzim Hoxhën dhe shumë të tjerë.
SPAK po verifikon nëse regjistrimi i subjekteve të caktuara në Durana është përdorur për favorizime apo përfitime të parregullta fiskale dhe nëse ekziston një lidhje funksionale mes këtij projekti dhe skemës së hetuar në dosjen e AKSHI-t. Përmendja e personave apo kompanive në kuadër të verifikimeve nuk nënkupton në vetvete përgjegjësi penale, e cila mund të përcaktohet vetëm nga organet kompetente dhe gjykata.
Verifikimet për Durana lidhen me hetimet për AKSHI-n, ku po hetohet mënyra e shpërndarjes së tenderëve publikë te kompani të caktuara, kostot e kontratave dhe ndikimi i mundshëm në proceset e prokurimit. Një nga çështjet që kërkohet të sqarohet është nëse subjektet që përfitonin fonde publike kanë përfituar njëkohësisht edhe avantazhe fiskale.
Nëse dyshimet e ngritura do të provoheshin nga hetimet, atëherë dëmi për buxhetin mund të shtrihej në dy drejtime: te mënyra e përdorimit të fondeve publike dhe te të ardhurat e munguara nga taksat.
Dhe këtu rikthehemi sërish te tenderi i KQZ-së. Kemi një procedurë ku kompania fituese lidhet me emra të përmendur në çështjen “Durana”, ndërsa përpara saj në garë kishte oferta më ekonomike. Njëra u skualifikua, ndërsa tjetra, ndonëse më e lirë se fituesi, nuk u përzgjodh.
Pikërisht këtu lind pyetja, kemi të bëjmë me një rezultat të zakonshëm të një gare prokurimi, ku çmimi nuk është kriteri i vetëm, apo me një garë që ngre dyshime për mënyrën se si është bërë përzgjedhja?
Ky nuk është rasti i parë kur KQZ përzgjedh kompani, pronarët apo personat e lidhur me të cilat janë përmendur në çështjen e AKSHI-t. Disa ditë më parë, VNA denoncoi një tjetër rast të ngjashëm në KQZ, ku fituese ishte shpallur kompania e Gëzim Hoxhës, vëllait të ministrit Ferit Hoxha. Edhe emri i Gëzim Hoxhës është përmendur në raportimet mbi fashikujt e dosjes së AKSHI-t.
Madje, rasti i parë ishte më i rëndë, pasi sipas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, Sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, Jona Josifi, edhe pse nuk ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kishte ndërhyrë në sistem gjatë procedurës duke e vlerësuar me pikë maksimale kompaninë e Gëzim Hoxhës.
Tashmë, vetëm pak kohë më pas, një tjetër tender i KQZ-së përfundon te një kompani që lidhet me emra të përmendur në çështjen e AKSHI-t dhe zgjatimin e hetimeve drejt “Durana Tech Park”.
Një rast mund të jetë rastësi, dy raste kërkojnë më shumë përgjigje. A kemi të bëjmë me një tjetër procedurë normale prokurimi, apo me gara ku fituesi duket se ka një rrugë më të shkurtër drejt parave publike?
Këtë përgjigje duhet ta japë KQZ.






















