
Prestigjiozja britanike The Guardian i ka kushtuar një analizë të gjatë transformimit urban dhe bumit të ndërtimeve në Shqipëri gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën, projektet në zonat e mbrojtura dhe përfshirjen e disa prej arkitektëve më të njohur ndërkombëtarë.
Rreth 60 studio ndërkombëtare arkitekture paraqiten në librin “The Albanian Files”, një botim prej rreth 800 faqesh që përmbledh më shumë se 500 projekte të parashikuara në Shqipëri. Në këtë botim nuk figuron asnjë studio shqiptare.
Një pjesë e transformimit arkitekturor të vendit lidhet edhe me një grup në WhatsApp të quajtur “Albanian ArchArmy”, ku bëjnë pjesë disa arkitektë të njohur ndërkombëtarë. Grupi shërben si një hapësirë ku ndahen arritjet, diskutohen projektet e reja dhe vlerësohet roli i kryeministrit Edi Rama në transformimin arkitekturor të vendit.
Megjithatë, ky model zhvillimi ka shkaktuar edhe kundërshtime. Kritikët ngrenë shqetësime për mungesën e transparencës në vendimmarrje, dëmtimin e trashëgimisë, ndërtimet në zona të mbrojtura dhe mënyrën se si jepen disa prej projekteve.
Në qershor, gjatë një aktiviteti në Tiranë ku ishin mbledhur arkitektë të përfshirë në projektet shqiptare, u zhvillua edhe një protestë. “Starchitects go home”, shkruhej në një prej pankartave, ndërsa një tjetër ngrinte pyetjen: “Ku është publiku?”.
Në qendër të debateve janë edhe projektet turistike në zona me rëndësi mjedisore, përfshirë Zvërnecin dhe ishullin e Sazanit. Kundërshtarët e zhvillimeve kanë ngritur shqetësime për ndikimin që investimet mund të kenë mbi habitatet natyrore.
Një tjetër projekt përfshin Gjirin e Gjipes, ku studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel me fasadë të pasqyruar që do të shtrihej mbi grykën e gjirit. Në zonën e mbrojtur të Ranës së Hedhun, arkitekti portugez Álvaro Siza ka hartuar një masterplan që përfshin zhvillim në kodër, teleferik dhe një ndërtesë shumëkatëshe pranë plazhit.
Ndërkohë, arkitektja Anupama Kundoo po punon mbi një masterplan për një vendbanim prej rreth 50 mijë banorësh në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Mundësia për projekte të tilla lidhet edhe me ndryshimet ligjore të vitit 2024, të cilat lejojnë ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura. Legjislacioni ka shkaktuar kritika edhe në institucionet europiane, ndërsa qeveria shqiptare e ka mbrojtur si një politikë zhvillimi që synon të ndërthurë ruajtjen e mjedisit me investimet ekonomike.
Debati nuk kufizohet vetëm te mjedisi dhe arkitektura. Pikëpyetje janë ngritur edhe mbi burimin e kapitalit që financon zhvillimin e vrullshëm të sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Global Initiative Against Transnational Organized Crime ka identifikuar sektorët e pasurive të paluajtshme dhe turizmit në Shqipëri si fusha të ekspozuara ndaj pastrimit të parave. Një raport i vitit 2020 vlerësonte se rreth 1.6 miliardë euro para të paligjshme ishin pastruar përmes pasurive të paluajtshme shqiptare gjatë tre viteve pararendëse.
Edhe SPAK ka ndërmarrë hetime dhe sekuestrime që kanë përfshirë apartamente, vila dhe prona tregtare të lidhura me persona të dyshuar për krim të organizuar. Megjithatë, nuk ka pretendime se arkitektët e përmendur në këto projekte janë përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Kryeministri Edi Rama i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion dhe mungesë transparence. Ai ka deklaruar se juritë e konkurseve për projektet arkitekturore përbëhen kryesisht nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë të pavarur, ndërsa pala shqiptare është në pakicë.
Sipas Ramës, nuk ushtrohet orientim apo ndikim mbi vendimmarrjen e jurive. Kryeministri e ka cilësuar Shqipërinë si “universitetin e hapur” më të madh të arkitekturës, ku arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësi të takohen dhe të punojnë konkretisht me disa prej emrave më të njohur ndërkombëtarë.
Ndërsa qeveria e sheh transformimin arkitekturor dhe investimet e mëdha si pjesë të modernizimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, kritikët vazhdojnë të ngrenë shqetësime mbi transparencën, mbrojtjen e territorit dhe mënyrën se si po ndryshon peizazhi urban dhe bregdetar i Shqipërisë.






















