
Komisioni i Ligjeve preku sot majat e debatit institucional për reformën territoriale, kur diskutimi për bashkimin e dy nismave u pasurua me argumente të nivelit “ke bërë plazh”, “ke fjetur gjumë” dhe “mos ndiqni këshillat e Zegjinesë”.
Një reformë që pritet të ndryshojë hartën administrative të vendit u trajtua, edhe një herë, me seriozitetin e zakonshëm të politikës shqiptare: shumë zhurmë, pak logjikë dhe një garë e hapur se kush e ul më poshtë debatin.
Debati nisi pasi deputeti demokrat Xhelal Mziu kërkoi që dy nismat për reformën territoriale të shqyrtoheshin së bashku. Deputetja socialiste Zegjine Çaushi e kundërshtoi kërkesën, duke i kujtuar opozitës se për katër muaj kishte bojkotuar punën e komisionit.
“Nuk mund të vini në këtë komision e të bllokoni punën e të bëni retorikë politike ose show politik. Aty ngjitur keni një sallë konferencash, mund ta bëni më së miri”, tha Çaushi.
Më pas ajo iu drejtua drejtpërdrejt Mziut, duke kundërshtuar kërkesën për bashkimin e dy nismave.
“Po dëgjojmë që doni të bashkoni dy nismat. Tani u kujtuat të bashkoni dy nismat? Katër muaj ishit ju ata që e bojkotuat komisionin dhe sot kujtoheni të depozitoni nismën tuaj, prandaj nuk ka sesi të bashkohen këto dy nisma, zoti Xhelal. Zoti kryetar, zbato rregulloren e të vazhdojmë me rendin e ditës”, deklaroi Çaushi.
Debati vijoi me tone të forta, ndërsa Çaushi iu kthye sërish Mziut, këtë herë duke e çuar debatin nga reforma territoriale te pushimet dhe gjumi.
“Dy orë e gjysmë duke të dëgjuar ty, o Xhelal. Nuk shkon kjo gjë. Në qoftë se e kishe kaq shqetësim të madh këtë reformën territoriale, ti Xhelal, të kujtoheshe, të mos e bojkotoje komisionin katër muaj. Por shkove, bëre plazh atje, fjete edhe gjumë në shtëpi dhe vjen këtu në komision tani, edhe kërkon bashkimin e dy nismave”, tha ajo.
Në këtë pikë ndërhyri edhe Ulsi Manja, i cili pyeti me ironi nëse “puna e plazhit” vlente vetëm për Mziun apo edhe për të tjerët.
“Ti, zonja Çaushi, këtu punën e plazhit e pate vetëm për zotin Mziu apo për të gjithë?”, tha Manja.
Mziu iu përgjigj Çaushit duke ironizuar këshillat e saj dhe duke kërkuar që komisioni të ndjekë ligjin, jo rekomandimet personale.
“Në fakt, kur Zegjineja të jep këshilla në të gjitha fushat, është vërtet një standard shumë i lartë, prandaj duhet t’i marrësh në konsideratë edhe ti, zoti kryetar, ato qortimet që ju bën, se Zegjineja është më afër asaj që ka si pikësynim Partia Socialiste dhe jo standardi. Do të dëshiroja që komisioni të shkojë drejt zbatimit të ligjit dhe jo rekomandimeve të Zegjinesë”, tha Mziu.






















