Politika 2026-10-05 13:49:00 Nga VNA

Berisha dërgon dhëndrin në KQZ të nisë referendum kundër kullës tek Parku Rinia

Ndaje në Whatsapp

Berisha dërgon dhëndrin në KQZ të nisë referendum

Në Shqipëri nuk ka funksionuar dhe nuk është realizuar ndonjë referendum në 20 vitet e fundit, por kjo nuk e pengon Sali Berishën të luajë lojën e tij të preferuar: të bëjë sikur është opozitar i thekur.

VNA mëson se sot pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është protokolluar një kërkesë zyrtare për zhvillimin e një referendumi vendor lidhur me projektin e ndërtimit të një ndërtese të lartë në zonën e Parkut Rinia në Tiranë.

Dokumenti, i siguruar nga VNA, mban datën 05 Tetor 2026 dhe numrin e protokollit 2205 Prot. Një prej firmëtarëve të listës dhe personi që ka depozituar këtë nismë në KQZ është Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Nisma udhëhiqet gjithashtu nga Dorjan Teliti si pjesë e komitetit nismëtar.

Përmes kësaj kërkese drejtuar KQZ-së, komiteti nismëtar kërkon të pajiset me formularët zyrtarë për mbledhjen e firmave të nevojshme nga qytetarët e Tiranës, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.

Në objektin e kërkesës, organizatorët argumentojnë se projekti për ndërtimin e kullës do të rrisë trafikun, do të përkeqësojë cilësinë e ajrit dhe do të rrisë presionin mbi një nga hapësirat e fundit të gjelbra të kryeqytetit.

Pyetja e propozuar për t’u shtruar në këtë referendum vendor është:

“A jeni dakord që të ndërtohet një kullë tek Parku Rinia?”

Përfaqësuesit e nismës kërkojnë miratimin e kërkesës për të nisur menjëherë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve zyrtare.

Në pamje të parë duket si një iniciativë e disa qytetarëve të shqetësuar për qytetin. Por këtu nis edhe paradoksi.

Vetëm pak muaj më parë, u miratua një tjetër projekt me kullë, këtë herë pranë Pallatit të Kongreseve. Në konsorciumin e shpallur fitues për projektin bën pjesë edhe kompania KLAR sh.p.k., në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Beshiri, një emër i përfolur prej vitesh nga mediat si person në biznes me Shkëlzen Berishën, djalin e Sali Berishës.

Projekti parashikon zhvillimin e zonës pranë Pallatit të Kongreseve, ndërsa për realizimin e tij qeveria kishte kaluar në pronësi të Korporatës së Investimeve një sipërfaqe prej 4,760 metrash katrorë truall publik, më parë pronë e Bashkisë së Tiranës. Aty parashikohen sipërfaqe për banim, tregti, zyra, ambiente argëtimi dhe parkime nëntokësore.

Pra, ndërsa dhëndri i Sali Berishës shkon në KQZ për të kërkuar referendum kundër një kulle pranë Parkut Rinia, vetëm pak metra më tutje një tjetër projekt me kullë ka brenda konsorciumit fitues një biznesmen të lidhur me Shkëlzen Berishën.

Për këtë kullë, kreu i PD nuk tha asnjë fjalë, edhe kur mediat lakuan emrin e djalit të tij të lidhur me këtë projekt.

Dhe paradoksi nuk mbaron këtu. Vetë Jamarbër Malltezi nuk është një figurë e huaj për sektorin e ndërtimit në kryeqytet. Kështu, nisma kundër betonizimit të një prej zonave më të ndjeshme të Tiranës ngre në mënyrë të pashmangshme edhe pyetjen se ku përfundon shqetësimi qytetar dhe ku fillon beteja politike.

Por a do të funksionojë vërtet një tentativë që s’ka funksionuar asnjëherë më parë? Dhe a ka moral Jamarbër Malltezi, që është vetë një ndërtues në kryeqytet, të ndërmarrë një iniciativë të tillë?

Javët në vazhdim do ta tregojnë sinqeritetin dhe vullnetin për këtë iniciativë, që deri më tani duket thjesht si: “më ka çu nana me la gojën”.

 

Lexo gjithashtu

Video

“Nuk ta fal!” Blerina Matraku reagon ndaj Adi Hilës: Familja ime është e gjunjëzuar

Protestuesit nuk kursejnë as deputetët e PD, i vihen pas Klevis Balliut: “Ku i ke banorët e Astirit?”

Teksa në Komisionin e Ligjeve pritet të diskutohet reforma e re territoriale, një grup qytetarësh janë mbledhur në protestë përpara Kryesisë së Kuvendit. Ata kundërshtojnë bashkimin e disa bashkive dhe kërkojnë që njësitë e tyre vendore të ruajnë statusin aktual. Në protestë ka banorë nga Selenica, Fushë-Arrëzi, Divjaka dhe bashki të tjera të prekura nga harta e re territoriale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news