
Nga Desada Metaj
Sali Berisha zgjodhi pikërisht daljen e tij të radhës nga SPAK për të akuzuar Prokurorinë e Posaçme se po hesht për ndryshimet e Edi Ramës në Kodin e Procedurës Penale. Sipas tij, paketa i jep “një goditje fatale” hetimit, ndërsa heshtja e SPAK tregon se “kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës”.
Në thelb, Berisha prek një problem real: ndryshimet e propozuara rrezikojnë të kufizojnë ndjeshëm instrumentet dhe kapacitetet hetimore të SPAK. Por pikërisht këtu fillon paradoksi. Njeriu që prej vitesh e ka sulmuar SPAK-un, sot i kërkon të ngrejë zërin sepse Rama po i kufizon fuqinë. Dhe kjo e bën të domosdoshme të ndahen dy gjëra: çfarë po bën Rama me ligjin dhe sa i sinqertë është Berisha kur sot shfaqet si mbrojtës i SPAK-ut.
Së pari, qëndrimi i Berishës në dukje është parimor. Në thelb ndryshimet e KPP asfiksojnë mjetet, procedurat dhe kapacitetet hetimore të SPAK. Por të mos harrojmë se projekti u shfaq befas nga Rama, pa dijeninë e konsultimin e asnjë autoriteti brenda Shqipërisë (Rama e pohoi këtë). Në këtë pikë është herët të kërkohet që tani një reagim zyrtar i SPAK, teksa bëhet fjalë për ndryshime masive të KPP (105 nene). Ndaj nuk mund të thuhet se SPAK nuk do reagojë. Nëse Berisha e thotë këtë fjalë, sot, të hënën që duhet të paraqitet në SPAK, thjesht për të gjetur një motiv për të sulmuar SPAK, ajo çfarë Berisha deklaroi është thjesht një qasje e pasinqertë, hipokrite dhe dhjakonare e tij.
Së dyti, loja e Berishës është në vazhdën e qëndrimeve antidrejtësi që e gjithë politika shqiptare (Rama dhe Berisha) kanë mbajtur në vazhdimësi. Është pak e besueshme që Sali Berisha, një ditë të hënë me diell, kur i duhet të paraqitet në SPAK, na qenka zgjuar si një “dashnor” i zjarrtë i drejtësisë që lufton korrupsionin dhe krimin. Ajo çfarë ka vjellë nga stomaku ai dhe enturazhi i tij, kundër SPAK dhe drejtësisë, ka po të njëjtin efekt negativ ndaj integritetit të drejtësisë dhe SPAK-ut posaçërisht.
Thënë kjo, qasja e Ramës me paketën e reformës së KPP është ekzaktësisht një paketë “antiSPAK” pa as më të voglën mëdyshje. Kufizimi i mjeteve hetimore, vështirësimi i përdorimit të tyre, asgjësimi i sekretit hetimor me ligj, shkurtimi i afateve hetimore për korrupsionin dhe krimin e organizuar, krijimi i mekanizmave për të futur në labirinte procedurale çdo hap hetimor, e mbi të gjitha asgjësimi i pavarësisë së SPAK nëpërmjet futjes në lojë të ILD dhe kallëzimeve ndaj prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO shqyrtohen nga prokurorë e gjyqtarë të zakonshëm, e si të mos mjaftonte e gjitha kjo, edhe censura ndaj gazetarëve, është goditja më serioze e këtyre 10 viteve të fundit, që zhvlerëson pothuajse totalisht Reformën e 2016.
Po ky qëllim i Ramës, tashmë u materializua. Dhe nuk ka kurrkush dyshime për qëllimin që Rama do të arrijë me këtë paketë. Por po kaq e vërtetë, që edhe sulmet e vazhdueshme të Berishës, po këtë qëllim kanë patur. Dy mjete të ndryshme (njëri me goditje publike e personale, kurse tjetri me goditje ligjore dhe institucionale), por të dy kanë synuar të njëjtin qëllim. Një harmonizim perfekt i të dyve.
Së treti, nuk është e vërtetë që nuk ka asnjë reagim nga prokurorët. Shoqata e Prokurorëve, organizëm që mbron prokurorët e Republikës (edhe ata të SPAK), kanë bërë një reagim të parë (në kushtet kur u gjendën të gjithë të kapur në befasi nga lëvizja surprizë e Ramës).
Së katërti, Berisha, para se të sulmojë SPAK, lidhur me këtë çështje, duhet të mos harrojë se bëhet fjalë për një iniciativë ligjore. Pra që do kalojë në parlament. Atje ku Berisha me të madhe promovon veten si “lider i opozitës”. Pra është detyrim i tij fillimisht, të tregojë se çfarë do bëjë ai, në parlament (në komisione, në seancë apo në raportet politike me ndërkombëtarët).
Çdo iniciativë ligjore, ngre pikëpyetje mbi rolin, qëndrimin, luftën që parlamentarët bëjnë (kryesisht ata që i thonë vetes opozitë) e pastaj në fund fare iu lind e drejta të “kërkojnë llogari” edhe ndaj segmenteve të drejtësisë (fillimisht KLGJ, KLP, ILD, PP, e pastaj SPAK). Të kërkosh llogari ndaj atyre që nuk e kanë detyrim ligjor, ndërkohë që vetë ke detyrim politik, të ndërmarrësh aksion opozitar për të zmbrapsur sulmin që qeveria i bën drejtësisë, është thjesht cinizëm i dalëboje, dhe shenjë e qartë që Berisha me të vetët fërkojnë duart, që tashmë Rama, po ia shkul dhëmbët SPAK, sepse nga kjo përfiton edhe vetë Berisha dhe familja e tij politike.
Të shohim çfarë do bëjë Berisha. Do ta ngrejë zërin? Do kërkojë që BE të flasë fort për të mbrojtur drejtësinë? Do kërkojë takim direkt me ambasadorin USA (meqë tashmë pretendon se nuk është më “non grata”) dhe t’i kërkojë atij që ai të dalë në mbrojtje të drejtësisë dhe SPAK, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar? A do bëjë betejë epike Berisha në komisione dhe në seancë, qoftë me tym e zjarr e flakadanë, për ta ngritur këtë çështje në vëmendje të opinionit publik vendas dhe atij ndërkombëtar? A do shprehet si, se SPAK, jo vetëm që nuk duhet t’i kufizohen mjetet dhe kapacitetet hetimore, por përkundrazi, duhet të shtohen ato dhe t’i hiqen pengesat ndaj hetimit?
A do bëjë lëvizje Berisha të tilla si iniciativë për heqjen e imunitetit me ligj, dhe nëse Rama nuk pranon, të bëjë aktin politik që ai dhe deputetët e tij të lënë me dëshirë imunitetin, si shenjë mbështetje ndaj SPAK, dhe të tregojë në sytë e publikut se problemi i vetëm me korrupsionin dhe krimin është vetëm Rama me të tijtë? E kjo është një lëvizje bash në kohën e duhur, për sa kohë, që kryetari i grupit parlamentar të tij, përditë i kërkon SPAK, të sjellë në Kuvend, kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut (kërkesë kjo shumë e drejtë). Por që Berisha me të vetët të jetë i besueshëm, dhe të mos duket se fërkon duart nga lufta Rama-SPAK, duhet të tregojë që nuk është në të njëjtën linjë me Ramën, por me akte të diferencohet prej tij.
Së fundmi, pavarësisht deklaratave të Berishës sot, Ramës dje, një gjë mbetet: paketa e Ramës është paketë antiSPAK! Ndaj prokurorët në tërësi, KLP, gjyqtarët, KLGJ, duhet të reagojnë fort. Me seriozitetin maksimal dhe profesionalizmin më të lartë. Çarmatosja që Rama po kërkon t’iu bëjë, është e dukshme, e qartë, serioze dhe me numrat e Ramës në parlament, çdokush duhet të reagojë. Edhe SPAK. Sepse ata dhe puna e tyre janë target i kësaj pakete.
Jo se e thotë Berisha. Por sepse e kërkon interesi publik, Kushtetuta dhe shoqëria shqiptare që iu ka dhënë atyre mbështetje pa kushte këto vite. Berisha dhe Rama thjesht janë kundër!






















