
Ndeshja mes Irlandës dhe Izraelit në Nations League është shoqëruar me tensione të forta dhe një akuzë serioze pas përplasjes mes lojtarëve dhe stafeve të dy kombëtareve në pushimin mes pjesëve.
Damien Doyle, drejtuesi i përgatitjes atletike në kombëtaren irlandeze, pretendon se është pështyrë nga një futbollist izraelit ndërsa skuadrat po largoheshin nga fusha në përfundim të pjesës së parë. Në pamjet televizive dëgjohet një zë që thotë “më pështyu”, ndërsa lojtarët dhe pjesëtarët e stafeve përplasen pranë tunelit. Siguria ndërhyri për t’i ndarë.
Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, nuk konfirmoi vetë episodin e pështymës, duke thënë se çështja pritet të shqyrtohet nga organet disiplinore. Por ai akuzoi skuadrën izraelite se ishte përpjekur të intimidonte lojtarët e tij që nga fillimi i ndeshjes.
Trajneri i Izraelit, Ran Ben-Shimon, deklaroi se nuk e kishte parë incidentin, pasi në atë moment ndodhej në dhomat e zhveshjes. Edhe Federata Izraelite e Futbollit nuk komentoi mbi akuzën.
Ndeshja u zhvillua pa tifozë në Backa Topola të Serbisë, në një atmosferë të ngarkuar edhe për shkak të tensioneve politike që kanë shoqëruar dy përballjet mes kombëtareve. Para takimit nuk pati shtrëngime duarsh mes kapitenëve, ndërsa futbollistët irlandezë ulën kokën gjatë himnit izraelit. Irlanda mbajti shirita të zinj në kujtim të viktimave të luftës në Gaza, ndërsa lojtarët izraelitë mbanin shirita me shënimin “7.10”, në kujtim të viktimave të sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023.
Në fushë, Irlanda kaloi në avantazh me penalltinë e Troy Parrott në minutën e 39-të, ndërsa Dor Peretz barazoi menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë. Takimi përfundoi 1-1.
Pas ndeshjes, Hallgrímsson tha se ishte i lehtësuar që dy përballjet me Izraelin kishin përfunduar, duke pranuar se dy javët e fundit kishin qenë të vështira për skuadrën irlandeze.























