Tensioni i raportuar mes Kylian Mbappe dhe Ousmane Dembele duket se ende nuk është shuar, pavarësisht deklaratave publike të të dy futbollistëve se mes tyre nuk ka asnjë problem.
Sipas L’Equipe, situata lidhet me zhvillimet rreth garës për “Topin e Artë”, ku dy yjet francezë u gjendën në qendër të një situate të sikletshme. Mbappe kishte deklaruar së fundmi se kishte folur me Dembelen dhe se “nuk ka tensione”, duke këmbëngulur se marrëdhënia mes tyre ishte normale.
Edhe Dembele mbajti të njëjtin qëndrim, duke shmangur komentet për atë që e cilësoi si “luftëra të vogla në rrjetet sociale” dhe duke theksuar se fokusi i tij ishte vetëm te paraqitjet në fushën e lojës.
Megjithatë, sipas L’Equipe, situata brenda kampit të Francës është më e ndërlikuar. Mediumi francez raporton se para grumbullimit në Clairefontaine, Mbappe dhe Dembele nuk kishin zhvilluar një bisedë ballë për ballë.
Dy futbollistët thuhet se kishin shkëmbyer një mesazh, por ai kishte mbetur pa përgjigje, çka raportohet se ka ndikuar në marrëdhënien mes tyre. Mbappe thuhet se ishte befasuar nga qëndrimi i Dembeles gjatë grumbullimit, pasi nuk priste që bashkëlojtari i tij të vazhdonte të ishte i pakënaqur për situatën.
Ndërkohë, gjatë grumbullimit me kombëtaren franceze, Mbappe është parë më i afërt me Michael Olise, me të cilin ka pasur më shumë komunikim.
Pavarësisht deklaratave publike të dy lojtarëve se gjithçka është në rregull, L’Equipe pretendon se marrëdhënia mes Mbappes dhe Dembeles ende nuk është rikthyer plotësisht në normalitet.






















