
Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim projektligjin e Partisë Socialiste për Reformën Administrativo-Territoriale, i cili parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive vendore.
Drafti mori 8 vota pro dhe 5 kundër në Komisionin e Ligjeve, pas një mbledhjeje të shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.
Deputetët e opozitës kundërshtuan nismën dhe procedurën e ndjekur, duke kërkuar ndërprerjen e mbledhjes. Oerd Bylykbashi ngriti shqetësimin se procesi i konsultimit nuk është zhvilluar siç duhet dhe se disa bashki nuk janë njohur në kohë me propozimet për ndryshimin e hartës territoriale.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, mbrojti projektligjin, duke argumentuar se ai respekton frymën kushtetuese.
Ndërkohë, jashtë Kuvendit kanë protestuar qytetarë dhe përfaqësues të zonave që preken nga harta e re, duke kundërshtuar shkrirjen e bashkive të tyre.
Pas kalimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji pritet të votohet në seancën plenare të 8 tetorit, ku për miratimin e reformës nevojiten të paktën 84 vota.






















