
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duket se ka ndryshuar qasje për protestën e 8 tetorit. Pasi fillimisht paralajmëroi një protestë të madhe kombëtare dhe u bëri thirrje qytetarëve e mbështetësve të opozitës për mobilizim, tashmë demokratët do t’i bashkohen protestës qytetare të paralajmëruar më herët nga “Revolucioni Flamingo”.
Në konferencën për mediat këtë të hënë, Berisha u bëri thirrje demokratëve nga Tirana dhe rrethet që të marrin pjesë në protestën e së enjtes, por këtë herë kërkoi që ata të shkojnë pa flamuj dhe pa simbolet e Partisë Demokratike.
“Ditën e enjte, në protestën kombëtare qytetare, demokrate e demokratë nga e gjithë Shqipëria dhe Tirana do t’i bashkohen dhe do të jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj! Jemi në protestë qytetare rinore, për një kauzë jashtëzakonisht të madhe!”, deklaroi Berisha.
Deklarata e sotme ndryshon nga mënyra se si kreu i PD-së e kishte paraqitur fillimisht mobilizimin e 8 tetorit. Berisha kishte paralajmëruar një “protestë të madhe kombëtare”, madje duke e cilësuar si “protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur vendi”. Tashmë, PD nuk paraqitet si organizatore e një proteste të veçantë, por si forcë që do t’i bashkohet tubimit qytetar, duke lënë jashtë edhe identitetin partiak përmes flamujve dhe simboleve.
Ky ndryshim vjen pasi pikërisht për 8 tetorin, përpara Kuvendit, “Revolucioni Flamingo” kishte paralajmëruar më herët protestën kundër Reformës Territoriale.
Raporti mes PD-së dhe kësaj proteste qytetare mbetet i paqartë. Tubimet e “Flamingove” janë zhvilluar me distancë nga drejtuesit e partive të mëdha politikë, ndërsa në to është dëgjuar edhe thirrja “Rama burg, Berisha burg”.
Pavarësisht kësaj, Berisha tashmë po orienton strukturat dhe mbështetësit e PD-së drejt së njëjtës protestë.
Mbetet për t'u parë se si do ta peresin këtë thirrje të kreut të PD, organizatorët e protestës së "Flamingove".






















