
Ilir Panda është zgjedhur kryetar i ri i Gjykatës së Lartë, me 14 vota pro dhe asnjë kundër. Ai do ta marrë zyrtarisht detyrën më 19 tetor 2026.
Por kush është Ilir Panda?
Panda nuk është një emër i ri as në sistemin e drejtësisë dhe as në institucionet politike të tranzicionit shqiptar. I diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1986, ai e nisi karrierën në organet e ndjekjes penale. Biografia zyrtare e Gjykatës së Lartë përdor pikërisht këtë formulim, ndërsa burime të tjera publike e identifikojnë si hetues në Krujë përpara vitit 1990.
Më pas ka punuar në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Ka qenë gjithashtu këshilltar ligjor pranë Avokatit të Popullit dhe ekspert për organizata ndërkombëtare.
Panda vjen nga ajo që politikisht mund të quhet “thesi” i juristëve të së majtës. Në vitet 1999–2000 ka qenë ministër i Drejtësisë në qeverisjen socialiste, ndërsa nga viti 2003 deri në 2007 ka mbajtur postin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në Gjykatën e Lartë hyri në mars 2020, jo nga radhët e gjyqtarëve të karrierës, por nga kategoria e “juristëve të spikatur”. Në nëntor 2023 u zgjodh zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë.
Një element tjetër i profilit të tij lidhet me marrëdhëniet personale me familjen Veliaj–Xoxa.
Kur Ajola Xoxa iu drejtua Gjykatës së Lartë për kontrollet e kryera në ambientet në përdorim të saj, Panda u tërhoq nga çështja, duke deklaruar njohje familjare me Xoxën.
Në korrik 2026, emri i Pandës doli sërish në trupën që do të shqyrtonte rekursin e Erion Veliajt për masën e sigurisë. VNA ngriti publikisht çështjen e konfliktit të interesit, pikërisht për shkak të marrëdhënies që Panda kishte deklaruar më parë me bashkëshorten e Veliajt. Panda kërkoi të largohej nga trupa dhe dorëheqja iu pranua.
Në të dyja rastet, tërheqja në vetvete nuk është një fakt që rëndon mbi Pandën. Përkundrazi, largimi nga një gjykim kur ekziston një marrëdhënie personale që mund të krijojë konflikt interesi është standardi që kërkon paanshmëria.
Dhe pikërisht këtu qëndron dilema që do ta shoqërojë kryetarin e ri të Gjykatës së Lartë. Ilir Panda ka vendosur tashmë një standard për veten duke u tërhequr nga gjykimi kur përballë tij kanë ardhur çështje që preknin njerëz me të cilët kishte marrëdhënie personale.
E shkuara e tij si ministër i një qeverie socialiste apo si drejtues i KLD-së nuk mund të përdoret për të paragjykuar vendimmarrjen e tij të ardhshme. Por për çdo çështje me sfond politik, sidomos kur përfshin figura të PS-së me të cilat mund të ketë pasur marrëdhënie personale apo institucionale, i njëjti standard etiko-moral që Panda vendosi në rastet Xoxa dhe Veliaj do të jetë tashmë standardi me të cilin do të matet edhe në të ardhmen.






















