
Paganizmi është në rritje, dhe gjithçka ia nisi me “Statujën e drunjtë”, do të shkruante e përjavshmja britanike “The Economist” dy vite më parë. Artikulli niste me një detaj të ftesës së kurorëzimit të mbretit Çarlsi III në Mbretërinë e Bashkuar, ku ishte vendosur pamja e një Burri të Gjelbër. U diskutua shumë se çfarë nënkuptonte simboli i fytyrë-gjethes të shfaqur në ftesë. A mos Monarku i ri po jepte sinjale se ai ishte pagan? Apo thjesh po i referohej Burrit të Gjelbër, personazhit të një filmi klasik britanik të shfaqur gjysmëshekulli më parë (dhjetor 1973) me titullin “Statuja e Drunjtë”?
Në fakt, raporton “The Economist”, neopaganizmi së fundmi është shndërruar në një temë të ditës, dhe jo vetëm për shkak të Mbretit Çarls. Në censin e vitit 2021, 74,000 vetë u identifikuan si paganë, nga 17,000 të identifikuar si të tillë në vitin 2011. Dhe për herë të parë fare më pak se gjysma e qytetarëve në Angli dhe Uells e deklaronin veten të krishterë.
Ndërsa bota po harbohet më shumë dhe po bëhet më tepër e lidhur me teknologjinë, si dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike po bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar, duket se ka një tërheqje nostalgjike drejt traditave të ngulitura në natyrë, në fshat dhe në ndryshimin e stinëve.

Sipas Qendrës së Kërkimeve Pew, një studim i publikuar në maj 2025 tregon se në botë ka një rritje të dukshme në besimin dhe praktikat që lidhen më shpesh me Paganët dhe traditat animiste, ku përfshihen jo vetëm besimi në shpirtra dhe në jetën pas vdekjes, por edhe në shpirtrat e kafshëve apo energjinë shpirtërore. Studimi bazohet në rezultatet e një vrojtimi të kryer me 50 mijë të rritur në 36 vende me përbërje të ndryshme fetare.
Sipas këtij studimi, 64% e të rriturve besojnë në jetën pas vdekjes, ku Indonezia, Turqia dhe Kenia kishin nivelin më të lartë (mbi 80%), ndërsa në Amerikën Latine këtë besim e kishin rreth 2/3 e të pyeturve. Në SHBA 70% besonin në jetën pas vdekjes, 57% besonin se kafshët kanë shpirtra dhe 48% shpreheshin njësoj edhe për malet, lumenjtë apo pemët, që tregon se pavarësisht nivelit të lartë të amerikanëve që identifikohen si të krishterë, përgjigjet tregojnë për një rezonancë të përhapur me spiritualitetin të lidhur me natyrën.
Edhe në vende me një përqindje të lartë të popullsisë që nuk identifikohet me ndonjë besim fetar, besimi në shpirtra ishte i lartë. Në Japoni për shembull, ku më shumë se gjysma e të rriturve nuk kanë lidhje fetare, 53% shpreheshin se kafshët kanë shpirt dhe 56% besonin se elementet e natyrës mund të kenë energji shpirtërore.

Sipas vrojtimit brezat e rinj janë bartës të besimeve spirituale po aq ose më tepër se brezat më të vjetër, ndërkohë që modeli i këtyre besimeve duket se ndikohet nga zhvillimi ekonomik. Kështu në vendet më të pasura kishte më pak të ngjarë që njerëzit të besonin në magji, mallkim apo këndim. Por ky dallim ngushtohej kur vinte puna për besimin se shpirtrat e stërgjyshërve bënin keq, që tregon për lidhje kulturore me rrënjë të thella në nderimin stërgjyshor.
Këto rezultate vrojtimi nënvizojnë një çështje të rëndësishme: edhe kur lidhja me një besim fetar formal në disa rajone bie, praktika dhe besimi spiritual, veçanërisht ato që lidhen me traditat popullore apo me natyrën, mbeten të ngulitura thellë në përvojat njerëzore në të gjithë botën, duke treguar që ka një prani të shtuar të besimeve që me kohë janë të lidhura me pikëpamjet pagane, siç janë nderimi i paraardhësve, pranimi i forcës shpirtërore të natyrës dhe praktikimi i ritualeve që të lidhin me energjitë e paduskhme.
Këtë vit, ditën e solsticit të dimrit, me mijëra vetë iu gazmendën lindjes së diellit në Stonehenge, Britani, dhe kërcenin qark rrethit të gurëve prehistorikë. Turmat e mbledhura para agimit pritën me durim në errësirë dhe në të ftohtë, duke kënduar dhe rënë daulleve.

Shumë vetë e quajnë si një përvojë shpirtërore pelegrinazhin që bëjnë në dimër dhe në verë në këtë monument të lashtë me gurë (5,000 deri në 3,000 vjet të shkuara) të ndërtuar për t’u harmonizuar me diellin në ditët e solsticeve – dy data të rëndësishme për bujqit në lashtësi.
Edhe në traditën e lashtë shqiptare solstici dimëror (në disa zona në Veri festohej edhe më 24 dhjetor) ka ritet e veta. Festa e quajtur Nata e Buzmit (kërcu) simbolizon ringjalljen e hyjit Diell. Buzmi bujar festohet me rituale të caktuara që mund të ndryshonin nga një krahinë në tjetrën, por thelbi mbetej tek urimi për një vit të ri të bollshëm.
Duke respektuar edhe traditën tonë të lashtë, urojmë “Me fat Buzmi Bujar”.






















