Editorial 24 Dhjetor 2025, 13:20 Nga VNA

Nga denoncimi te banalizimi: si Sali Berisha po e kthen skandalin e AKSHI-t dhe grabitjen e të dhënave të shqiptarëve në zhurmë politike

Ndaje në Whatsapp

Nga denoncimi te banalizimi: si Sali Berisha po e kthen skandalin e AKSHI-t dhe

Nga Desada Metaj

Mënyra më efikase për ta banalizuar skandalin e tenderave të AKSHI-t dhe rrezikimin real të të dhënave të shqiptarëve ishte konferenca për shtyp e Sali Berishës. Jo heshtja. Jo mungesa e reagimit. Por pikërisht dalja publike.

Në një nga krizat më të rënda dhe më flagrante që mund t’i ndodhë një qeverie në një vend që pretendon të jetë europian, kryetari i opozitës së përçarë zgjodhi sot të merrej me gjobat e makinës së Ergys Agasit pranë shtëpisë së Edi Ramës në Surrel. Nga një skandal shtetëror me përmasa sistemike, çështja u reduktua në një giallo provinciale, të lehtë për t’u konsumuar, por e padobishme për t’u kuptuar.

Të bësh “thriller” me dosjen Agasi në një vend si Shqipëria, ku krimi dhe politika janë të ndërthurura deri në palcë, është e thjeshtë dhe joshëse për një publik të lodhur. Por a është ky mesazhi që duhet të japë partia kryesore e opozitës? Çfarë fiton publiku nga epitetet që Sali Berisha u vë “banditëve të Edi Ramës”, apo nga katalogimi i luksit të tyre?

Sot nuk ka më naivë që të besojnë se familja Berisha jeton “si shtresë e mesme”. Zëri i lartë i doktorit nuk e fsheh dot luksin e familjarëve të tij, që në shumë raste konkurron drejtpërdrejtë atë që ai vetë denoncon nga selia e Partisë Demokratike. Kjo e bën moralizimin jo vetëm të pafuqishëm, por edhe atë vetë pabesueshëm.

Por problemi më i madh nuk është ky. Problemi real është fryma që opozita po përcjell. Një publik i lodhur jo vetëm nga skandalet e qeverisë, por edhe nga paaftësia e opozitës për të frymëzuar revoltë, shpresë apo një mekanizëm real për rrëzimin e pushtetit.

As protesta e fundit e thirrur nga PD, as protestat sporadike të partive të vogla nuk po arrijnë të kanalizojnë mllefin dhe dëshpërimin e shoqërisë. Ka zhurmë, por nuk ka drejtim. Ka fjalë të forta, por nuk ka projekt.

Epitetet që Sali Berisha i vë Ergys Agasit në konferenca shtypi, apo “zbardhjet” fragmentare të dosjes në media, nuk mjaftojnë për të shpjeguar rëndësinë reale dhe dëmin e jashtëzakonshëm që i është shkaktuar shtetit shqiptar dhe sigurisë së të dhënave të qytetarëve përmes AKSHI-t.

Skandalet e qeverisë e panumërta të qeverisë dhe dy më kulminantet, ai i zv/kryeministres Balluku dhe i AKSHI-t, nuk rrëzohen me thirrje, as me folklor akuzash. Ato rrëzohen vetëm kur opozita të ndalojë së banalizuari krimin dhe të nisë ta trajtojë atë si siç është: një kërcënim ekzistencial për shtetin dhe shoqërinë.

Sepse në një ditë si kjo pyetja që lind është: Pse Sali Berisha ka zgjedhur këtë lloj pozicioni? Ai ka qenë dy herë kryeministër dhe dy herë president. Partia Demokratike, për vite me radhë, është perceptuar si një alternativë reale qeverisëse, me strukturë, pushtet dhe përgjegjësi shtetformuese.

Sot, kjo ish-parti pushteti është reduktuar në një rol periferik, më shumë të ngjashëm me një blog politik në rrjetet sociale, që denoncon luksin, vanitetin dhe kriminalizimin e pushtetit, por nuk artikulon dot as shkakun thelbësor të krizës, as një platformë kombëtare për ta trajtuar atë. Denoncimi është bërë qëllim në vetvete, jo mjet për ndryshim.

Arsyeja e këtij transformimi qëndron pikërisht në faktin se opozita nuk flet më si forcë që synon pushtetin, por si aktor që synon mbijetesën politike. Ajo nuk ndërton platformë, sepse platforma kërkon përgjegjësi, sakrificë dhe ballafaqim real me të shkuarën. Denoncimi, përkundrazi, është i lirë, i sigurt dhe pa kosto. Pak a shumë si një media.

Një parti që synon të qeverisë duhet të identifikojë shkaqet strukturore të kriminalizimit të shtetit, të ofrojë mekanizma institucionalë për çmontimin e tij dhe të jetë e gatshme të paguajë çmimin politik të kësaj përballjeje. Një parti që nuk synon më pushtetin, mjaftohet me zhurmë.

Dhe këtu qëndron dallimi thelbësor: Partia Demokratike nuk sillet më si alternativë qeverisëse, por si komentatore e një realiteti që nuk synon ta ndryshojë. Pa platformë, pa sakrificë dhe pa vizion kombëtar, denoncimi mbetet thjesht një formë e rafinuar e pafuqisë.

Në këtë kuptim, banalizimi i skandaleve nuk është gabim taktik. Është pasqyrë e një opozite që ka hequr dorë nga ambicia për të qeverisur dhe është pajtuar me rolin e zërit të lartë, por jo vendimmarrës, në një sistem që vazhdon të funksionojë me një opozitë që lufton për vendin e dytë me Sali Berishën në krye dhe uturakmbajtësit e kënaqur me karriget dhe rolet që kanë për sa kohë ua lejon Edi Rama!

Video

Banorët e Rrjollit protestë para SPAK me thirrjet: “Largohu Bashkim Ulaj. Larg duart nga pronat tona. SPAK të bëjë drejtësi. S’e lëshojmë pronën pa gjak.” Janë bashkuar edhe banorë të Durrësit që janë kundër projektit të TID.

Banorët e fshatit Rrjoll kanë dalë në protestë përpara Prokurorisë së Posaçme kundër ndërtimit të resortit turistik në zonën e Velipojës. Banorët kanë goditur me vezë godinën e SPAK.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Zvicër, ku 6 persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën, pasi një autobus u përfshi nga flakët. Mediat vendase raportojnë se ka qenë një burrë që i ka vënë flakën vetes, e me pas i gjithë autobusi është përfshirë në flakë. Ngjarja ndodhi në qytetin Kerzers në Zvicrën perëndimore, kur një autobus që transportonte pasagjerë papritmas u përfshi nga flakët rreth orës 6:25 të pasdites të martën.

Ku je futur o Joridaa.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme