
Nga Desada Metaj
Pavarësisht qetësisë shurdhuese këto ditë fundviti, çështja “Balluku” është ajo që ka futur në reflektime të thella Tiranën politike. Jo aq për shkak të sulmeve të përditshme, deri edhe të bezdisshme të Edi Ramës — i cili nuk ka reshtur as në ditë pushimi — dhe as prej Sali Berishës, që me lehtësinë më të madhe riciklon pozicionet e tij nga një ditë në tjetrën.
Edi Rama ka humbur shumë nga shkëlqimi i liderit të madh, të gjithëditur dhe autoritar. Stresi i çështjes në fjalë, filluar nga SPAK e mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, e ka zvogëluar në sytë e njerëzve dhe e ka treguar edhe atë, plot ankth, vulnerabël, në hall e, siç duket, nën trysni. Është zhveshur nga madhështia e udhëheqësit të salloneve të politikës së madhe botërore dhe është kthyer në një llaxore banale që, pas perdes së dritares kryeministrore, godet çdo ditë godinën përballë të Gjykatës Kushtetuese me synimin e vakët për t’iu diktuar vendimin e së enjtes.
Sali Berisha disa ditë më parë, në ritualin e tij të përditshëm të ndotjes mediatike, bërtiste se Gjykata Kushtetuese ishte “mashë e Ramës”, “vegël politike” për të goditur Ballukun. Më pas ndryshoi mendim: doli në mbrojtje të asaj Gjykate, duke sugjeruar që ajo as të mos e pranonte çështjen për shqyrtim. Ndryshoi sërish sot: kërkoi një seancë publike që “t’i shihte populli bemat e dosjes”, sikur gjykata është skenë për të lexuar SMS me “palloshë”. Dhe sot, në kthesën e radhës, thekson se Gjykata bëri gabim që e pranoi çështjen, sepse — sipas tij — u gjunjëzua nga presioni i Ramës.
Mes Ramës dhe Berishës funksionon prej kohësh një kod i heshtur komunikimi. Nuk është kod për marrëveshje, por kod për shkatërrim: diskreditimin sistematik të drejtësisë. Të dy bashkë, në mënyra të ndryshme, përpiqen të bëjnë pis SPAK-un, GJKKO-n dhe tashmë edhe Gjykatën Kushtetuese. Ky është emëruesi i tyre i përbashkët, pavarësisht pozave hipokrite që marrin publikisht. Sepse një drejtësi e perceptuar si “vegël”, “mashë” apo “politike” humbet gjënë më të çmuar: besimin e publikut. Dhe kur besimi humbet, çdo vendim — edhe ai më i drejtë — tingëllon i pilotuar.
Rama e Berisha e dinë këtë. E bëjnë sepse herët a vonë — dhe mesa duket herët — të dy do të kenë llogari për të dhënë para drejtësisë, me gjasë edhe para Gjykatës Kushtetuese. Përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në spiralen e tyre të politikës së ditës u shërben të dyve. U leverdis që çdo institucion drejtësie të jetë i lyer me bojën e dalë nga selitë e tyre.
Ajo që të habit më shumë është sjellja e aktorëve të vetëshpallur të “politikës së re”. Përfaqësues të një modeli ndaj të cilit publiku projektoi pritshmëri të tjera, më të pastra e më solide, po dalin të zhveshur para provës së parë serioze. Deri tani nuk ka pasur asnjë qëndrim të qartë, të prerë dhe të sinqertë lidhur me betejën midis politikës së vjetër dhe drejtësisë së re.
Arlind Qori paralajmëron protestë para Kuvendit. Në listën e kërkesave populiste përfshin edhe dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut. Ironia? Brenda atij Kuvendi ka edhe një deputet të tij, i cili nuk ka shqiptuar as një fjali për drejtësinë gjatë gjithë kësaj zallamahie që është përplasur edhe në sallën e parlamentit.
Agron Shehaj thërret për kafe te “Hotel Tirana”, që bashkë me një espresso të “diskutohet mbrojtja e drejtësisë”. Ndërkohë, ishte ai që vetëm disa ditë më parë godiste pa mëshirë Gjykatën Kushtetuese, duke mos kuptuar se pa atë hallkë zinxhiri i drejtësisë nuk qëndron dot.
Adriatik Lapaj, më i drejtpërdrejtë, ul karrigen përballë Kryeministrisë — simbolikë naive, por shumë e sinqertë: oreksi për karrige është aty, nuk fshihet dot pas retorikës moraliste. Sepse një karrige josh këdo.
Kjo nuk është çmenduri kolektive. As lajthitje spontane. Kjo është simptomë e qartë se politika e re nuk ka kuptuar ende fuqinë transformuese të drejtësisë së re, të mbështetur nga ndërkombëtarët. Kanë mbetur robër të psikozës së vjetër 30-vjeçare: se edhe drejtësia mund të përdoret, manipulohet, influencohet.
Kjo është panorama e politikës sot: të gjithë të pafuqishëm dhe dështakë. Miti i vjetër i Ramës — se çdo gjë e kontrollon dhe çdo institucion i bindet — po shpërbëhet. Vetë ai, i revoltuar, justifikon ndërhyrjet publike me frazën: “jam palë në proces”. Pa e kuptuar se kjo e vetëpandeh dhe e bën edhe më të papranueshme ndërhyrjen.
Berisha është një i pakallur politik. I pafuqishëm ndaj drejtësisë dhe, në mënyrë poshtëruese, edhe ndaj vetë Ramës, të cilin e përdor si alibi jetike për të mbajtur ndezur mitin e persekutimit.
Shehaj, Qori dhe Lapaj vrapojnë me lugën në brez drejt gostisë së pushtetit post-Rama. E shohin se skena e vjetër po shembet dhe duan të zënë karriget bosh që lihen pas — pa ndërtuar asnjë ethos të ri politik. Karrigia e Lapajt pranë Kryeministrisë është imazhi më i pastër i këtij oreksi të papërmbajtur.
Ky është kalbëzimi më i rëndë moral i politikës shqiptare: bindja e përhapur se ndryshimin nuk mund ta prodhojnë vetë aktorët politikë, por duhet t’ua sjellë dikush tjetër — drejtësia, ndërkombëtarët, fati, rastësia apo kriza e radhës.
Ata nuk besojnë më në mjetet politike. Pranojnë në heshtje se janë dështime politike. Dhe më e rënda: të gjithë së bashku nuk bëjnë asgjë për të fshehur vesin e vjetër 35-vjeçar të kësaj politike — etjen për pushtet për ta përdorur njësoj si ustallarët e dikurshëm. Ky është deformimi psikik që ka kapur mendjet e gjithë kësaj klase politike, të vjetër e të re.
Ironikisht, këtu fshihet edhe arritja më e madhe e drejtësisë së re: ka demaskuar politikën shqiptare duke e nxjerrë të padobishme dhe të pafuqishme para publikut. Ka tharë kënetën politike 35-vjeçare, duke e lënë pa terren manovrimi.
Prandaj sot çdo hallkë e drejtësisë — BKH, SPAK, GJKKO, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese — duhet të kuptojnë se misioni i tyre nuk është vetëm goditja e episodeve sporadike të korrupsionit apo krimit të organizuar. Më shumë se sa kaq, misioni i tyre është t’i bëjnë të qartë kastës politike se epoka e vjetër e politikës banale ka marrë fund dhe se një mënyrë e re e të konceptuarit dhe të bërit politikë mund të jetë e suksesshme në bashkëjetesë me drejtësinë.






















