Deputeti socialist Erion Braçe ka pranuar publikisht se brenda Partisë Socialiste po zhvillohet një luftë e brendshme, duke deklaruar se ka persona që synojnë ta eliminojnë politikisht. Ai fajësoi edhe publikimin në media të debateve dhe mesazheve nga mbledhjet e grupit parlamentar, të cilat, sipas tij, përdoren për ta poshtëruar.
I ftuar në emisionin “Noë” me Erla Mëhillin, Braçe tha se nxjerrja e diskutimeve me dyer të mbyllura nuk është rastësi, por pjesë e një përpjekjeje për ta larguar nga politika.
“I nxjerrin mesazhet sepse kanë qëllim të më poshtërojnë. Është ta nxjerrësh për ta vrarë tjetrin politikisht. Ai që e ka nxjerrë këtë kërkon të të largojë nga fusha e brendshme e Grupit Parlamentar një njeri që e konsideron konkurrent”, u shpreh Braçe.
Ai solli si shembull edhe publikimin e një mesazhi që kishte dërguar në grupin parlamentar pas sulmit me vezë ndaj disa deputeteve socialiste, duke thënë se e njëjta gjë u përdor kundër tij.
Megjithatë, i pyetur drejtpërdrejt nëse pas kësaj lufte të brendshme qëndron kryeministri Edi Rama, Braçe e mohoi kategorikisht.
“Jo, nuk është”, u përgjigj ai.
Deklaratat e Braçes vijnë pasi prej javësh në media janë publikuar debate dhe përplasje nga mbledhjet e grupit parlamentar socialist. Deputeti fajëson median për publikimin e tyre, ndonëse bëhet fjalë për zhvillime politike me interes publik dhe jo për sekrete shtetërore. Nëse shqetësimi i tij është se kush po nxjerr informacionet nga mbledhjet, përgjigjja, nëse ekziston, ndodhet brenda vetë grupit parlamentar. Por, edhe pse pranon se ka një përpjekje për ta larguar nga politika, Braçe përjashton çdo përgjegjësi të kryetarit të PS-së. Një qëndrim që kujton shprehjen e njohur të diktaturës: “Nuk di gjë shoku Enver, e ka bërë Mehmeti me kokë të vet.”






















