
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka paralajmëruar Iranin që të mos përpiqet të “luajë” me Shtetet e Bashkuara, ndërsa u nis drejt Azisë për negociata që synojnë t’i japin fund luftës mes dy vendeve.
Vance u nis të premten drejt Pakistanit për të udhëhequr bisedimet e ndërmjetësuara me Iranin në kryeqytetin Islamabad. Duke folur përpara se të hipte në avionin Air Force Two, ai tha se administrata amerikane pret që negociatat të jenë konstruktive.
“Ne mezi presim negociatat. Mendoj se do të jenë pozitive. Natyrisht do ta shohim,” tha ai.
Vance iu referua edhe qëndrimit të Donald Trump, duke shtuar se Uashingtoni është i gatshëm të negociojë nëse Teherani tregohet serioz.
“Nëse iranianët janë të gatshëm të negociojnë me mirëbesim, ne sigurisht që jemi të gatshëm të zgjasim dorën e hapur,” u shpreh ai.
Megjithatë, zëvendëspresidenti paralajmëroi se çdo përpjekje e Iranit për të manipuluar procesin do të ketë pasoja.
“Por nëse ata përpiqen të luajnë, atëherë do të zbulojnë se ekipi negociator nuk do të jetë aspak i gatshëm ta pranojë këtë.”
Vance tha gjithashtu se Trump i ka dhënë ekipit amerikan “udhëzime shumë të qarta” për mënyrën se si duhet të zhvillohen bisedimet, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai nuk pranoi pyetje nga gazetarët që udhëtonin me të.






















