Disa nga të mbijetuarat e abuzimeve të Jeffrey Epstein kanë akuzuar Melania Trump se po “zhvendos barrën” e përgjegjësisë mbi viktimat, pas një deklarate të papritur të saj në Shtëpinë e Bardhë.
Në deklaratën e saj, Zonja e Parë u distancua nga financieri i diskredituar dhe bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell, duke i bërë thirrje Kongresit që të marrë dëshmi nën betim nga viktimat e Epstein në një seancë publike. Disa prej tyre kishin dhënë tashmë dëshmi në një seancë me dyer të mbyllura në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve vjeshtën e kaluar.
Megjithatë, në një deklaratë të përbashkët të publikuar të enjten, një grup të mbijetuarash tha se kjo kërkesë e Melania Trump synon të “mbrojë ata që janë në pushtet”.
Ato e akuzuan se po “e zhvendos barrën mbi të mbijetuarat në kushte të politizuara për të mbrojtur njerëzit me pushtet”.
“Të mbijetuarat e Jeffrey Epstein kanë treguar tashmë një guxim të jashtëzakonshëm duke dalë publikisht, duke depozituar ankesa dhe duke dhënë dëshmi,” thuhet në deklaratë. “T’u kërkosh edhe më shumë tani është shmangie nga përgjegjësia, jo drejtësi.”
Në deklaratë shtohet gjithashtu se kjo kërkesë devijon vëmendjen nga ish-prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, e cila sipas tyre duhet të përgjigjet për dokumente të mbajtura të fshehta dhe për ekspozimin e identitetit të disa viktimave.
Ndërkohë, Melania Trump deklaroi para gazetarëve se ajo “nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie” me Jeffrey Epstein apo me Ghislaine Maxwell.
“Nuk kam qenë kurrë shoqe me Epstein,” tha ajo. “Unë nuk jam viktimë e Epstein. Epstein nuk më ka prezantuar me Donald Trump.”
Ajo shtoi se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin marrë pjesë ndonjëherë në të njëjtat evente sociale me Epstein, duke theksuar se “rrethet sociale në Nju Jork dhe Palm Beach shpesh mbivendosen”. Gjithashtu mohoi që emailet e saj me Maxwell të kenë qenë diçka më shumë se “korrespondencë e rastësishme”.






















