Politika 7 Mars 2025, 18:38 Nga VNA

Arrestimi i Erion Veliaj, një ‘gur prove’ për besueshmërinë e SPAK

Ndaje në Whatsapp
Arrestimi i Erion Veliaj, një ‘gur prove’ për

Një sondazh i publikuar në Euronews tregon se pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, besimi ndaj Prokurorisë së Posaçme u rrit me 10 pikë – vlerësim që sipas analistëve reflekton perceptimin mbi pavarësinë po aq sa sjelljen e liderëve politikë ndaj SPAK-ut.

Brenda një kohe të shkurtër, besimi i publikut tek Prokuroria e Posaçme u rrit me 10 pikë,  sugjeron Barometri i realizuar nga Datacentrum për Euronews Albania, rritje që autorët e sondazhit e lidhin me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas Barometrit të publikuar të mërkurën me një kampionim të rastësishëm në të gjithë vendin dhe me 1600 intervista ballë për ballë, 52.1 për qind e të pyeturve treguan besim tek SPAK, nga 42.2 përqind sipas barometrit të kryer në janar të këtij viti.

Ndërsa pyetjes si e vlerësonin punën  e kësaj strukture iu përgjigjen pozitivisht 70.7 përqind e të anketuarve, duke e vendosur SPAK-un në krye të institucioneve ku shqiptarët kanë më shumë besim.

Sondazhi u krye me tematikën “Besimi tek institucionet – SPAK vlerësimi punës” dhe sipas Blendi Çekës nga Datacentrum, synimi ishte për të matur si kishte ndikuar tek besueshmëria në këtë strukturë të drejtësisë arrestimi i kryebashkiakut Veliaj.

“Ky është fakt i jashtëzakonshëm dhe i rëndësishëm në diskursin politik,” tha Çeka, duke shtuar se barometri bën të njëjtat pyetje në 2 vite e gjysmë për të kuptuar evolimin dhe humorin e shoqërisë në raport me SPAK.

“Këtë radhë ka qenë rritja më e shpejtë dhe më e madhe, sepse ka qenë 10 pikë rritje në çdo tregues,” shtoi ai, duke krahasuar me një rritje të lehtë në sondazhet e mëparshme.

Çeka beson se arrestimi i Veliajt ka qenë pikë thyerje dhe tregues i fortë për këtë ndryshim. Gjithashtu ai beson se sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK pas arrestimit të Veliajt kanë ndikuar tek perceptimi i votuesve të Partisë Socialiste, duke ulur besueshmërinë e tyre tek kjo strukture me 7 pikë, nga 83% në 74.9%.

Nga ana tjetër, gjetjet sugjerojnë se votuesit e PD-së kanë rritur vlerësimin pozitiv me 28% nga janari në shkurt.

Qëndrimi i Ramës dhe mazhorancës pësoi luhatje të forta brenda dy javësh që nga arrestimi i Veliajt. Rama nisi me sulme direkte ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes së Veliajt, për t’u zbutur më pas me ato që ai i quan “kritika konstruktive” dhe deklarime për respekt për punën e kreut të SPAK të enjten.

Edhe për analistët e politikës, arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës ka ndikuar në rritjen e besueshmërisë ndaj Prokurorisë së Posaçme.

“Kjo konsiderohej si provë e pavarësisë së SPAK,” thotë Fatos Lubonja për BIRN, duke sugjeruar se ka një tentativë për rritjen e pavarësisë të SPAK.

“…Dhe jemi në një pikë ku, ose do të rritet e fuqizohet kjo pavarësi, ose do të eliminohet dhe do të merret nën kontroll nga mazhoranca, sepse ajo ka pushtetin,” shtoi ai.

Lubonja beson se në rritjen e besueshmërisë ka ndikuar dhe sjellja e liderëve politikë.

“Ka ndikuar reagimi i parë i egër i Ramës dhe një deklaratë e Berishës që SPAK ‘ka dalë jashtë çdo kontrolli’, e cila u duk sikur i shkeli syrin Ramës që do e fshijmë SPAK,”tha ai.

Për Lubonjën ka një kontradiktë në qëndrimet e opozitës ndaj SPAK, sepse sipas tij, “nga njëra anë bazon luftën e saj politike në disa arrestime që ka bërë SPAK, por nga ana tjetër mbetet problemi që kjo strukturë është përdorur për të eliminuar liderët e opozitës”.

Sipas Lubonjës, të dyja këto qëndrojnë dhe në këndvështrimin e tij, “SPAK ka një pavarësi relative që ndoshta lidhet me përgjegjshmërinë më të madhe të disa individëve aty”.

Votuesit e Partisë Socialiste vijojnë të kenë besim tek SPAK pas arrestimit të atij që konsiderohej si numri dy i kësaj partie dhe pasardhës i Ramës, por gjithsesi, sondazhi tregon se besueshmëria ka rënë nga janari në shkurt.

Sipas Arbër Hitaj, gazetar i Report.tv, kjo rënie lidhet në përgjithësi me mosgoditjen e SPAK në  radhët e opozitës.

“Mosgoditja ligjore e asnjë eksponenti të ish- qeverisjes para 2013 në përmasën që po goditet e majta ka ndikuar uljen e besueshmërinë në kahun e majtë,”tha Hitaj, ndërsa ngre pikëpyetje për mënyrën se si ndikon kjo besueshmëri e madhe e publikut tek vetë puna e SPAK.-ut.

“Sondazhet tregojnë se ka një qasje për drejtësi kolektive që kënaqet me arrestime dhe kjo është deri diku e justifikueshme, drejtësia ka munguar prej vitesh. Por a është kthyer ky besim në trysni e zell më të madh nga ana e hetuesve të SPAK për të tejkaluar procedurat dhe për të ushqyer këtë dëshirë” pyet Hitaj, ndërsa përgjigjet: “po, shenjat janë të qarta”.

Pavarësisht arrestimit për korrupsion të ish-presidentit Ilir Meta dhe hetimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Hitaj pretendon se “është problematike” që puna e SPAK nuk shtrihet përtej vitit 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet. Ai thekson gjithashtu se përtej partive politike, SPAK-u nuk duhet të ndikohet edhe nga opinioni publik.

“Mendoj se SPAK duhet të jetë i ftohtë nga trysnia e opinionit publik dhe ndaj politikës,” përfundoi ai./BIRN/

 

Video

Ndeshja mes Flamurtari FC dhe KF Elbasani është mbyllur mes tensioneve dhe incidenteve në stadium. Gjatë takimit nuk munguan përplasjet në distancë mes tifozerive, ndërsa në përfundim të ndeshjes pati edhe konfrontime në hollin e stadiumit, fillimisht mes lojtarëve dhe më pas edhe mes një pjese të tifozëve të të dy skuadrave. Në këtë ndeshje ishin të angazhuara forca të shumta policie për të garantuar rendin dhe sigurinë. Policia ndërhyri për të qetësuar situatën brenda stadiumit dhe më pas largoi tifozët edhe në zonën jashtë tij. Sa i përket rezultatit sportiv, ndeshja përfundoi me fitoren 2–1 të KF Elbasani

Një protestë kundër Shteteve të Bashkuara u zhvillua në Iran, ku një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte veprimi i disa fëmijëve që dogjën fanella të futbollistit të njohur Lionel Messi. Zemërimi u nxit nga ngjarjet e 5 marsit, kur lojtarët e klubit Inter Miami CF u ftuan në Shtëpia e Bardhë si fitues të MLS Cup. Lionel Messi dhe shokët e tij të skuadrës duartrokitën presidentin amerikan Donald Trump teksa ai po fliste për një operacion ushtarak në Lindjen e Mesme. Ky moment shkaktoi reagime të forta dhe një valë kritikash nga tifozë dhe përdorues të rrjeteve sociale.

Ju flet Tirana… po japim lajmet e antikorrupsionit në QSUT.

Ju flet Evis Sala për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale… e sigurt që nuk e ka parë konferencën e djeshme të shefit te madh

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme