Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-shefin e Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, i dyshuar në kuadër të hetimeve për skandalin e ndërtimeve pa leje në Sarandë.
Nga masa “arrest me burg”, Apeli ka vendosur që Bashllari të hetohet në masën “detyrim për paraqitje”, duke e liruar kështu nga qelia.
Ish-drejtuesi i Komisariatit të Sarandës po hetohet nën dyshimin se ka marrë ryshfet për të lejuar një ndërtim pa leje.
Vendimi i Apelit vjen në kuadër të hetimeve për shkeljet e dyshuara lidhur me lejimin dhe mbrojtjen e ndërtimeve të paligjshme në qytetin bregdetar. Hetimet për rastin vijojnë për të dokumentuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.






















