Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me sulme ushtarake ndaj Omanit, nëse vendi ndërhyn në negociatat lidhur me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, në një tjetër përshkallëzim të retorikës së tij gjatë konfliktit me Iranin.
Në një intervistë për Fox News me gazetarin Trey Yingst, Trump u shpreh se Uashingtoni nuk do të tolerojë ndërhyrjen e Omanit në çështjen e Hormuzit. “Nëse Omani na del përpara, do ta bombardojmë pa mëshirë”, deklaroi presidenti amerikan.
Deklarata vjen në një kohë kur Irani dhe Omani po zhvillojnë negociata për gjetjen e një mekanizmi që do të mundësonte rikthimin e trafikut tregtar në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve detare më strategjike në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Omani ka luajtur prej kohësh rolin e ndërmjetësit mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa përpjekjet e fundit diplomatike synojnë të zhbllokojnë situatën në Hormuz, ku tensionet kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në transportin ndërkombëtar dhe çmimet e energjisë.
Ndërkohë, marrëveshja e përkohshme e arritur mes SHBA-së dhe Iranit në qershor, e cila parashikonte ndërprerjen e armiqësive dhe nisjen e negociatave për një marrëveshje më të gjerë, ka hyrë në një fazë të pasigurt. Afati 60-ditor për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ka përfunduar pa një rezultat konkret.
Kërcënimi i fundit i Trumpit ndaj Omanit vjen ndërsa përpjekjet diplomatike për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mbeten të bllokuara dhe rreziku i një përshkallëzimi të mëtejshëm në Lindjen e Mesme vazhdon të rritet.






















