“Atdheu nuk shitet”, është thirrja që u dëgjua në protestat e mbajtura në Buenos Ajres, Argjentinë, kundër propozimit të presidetit të vendit, Havier Milei, për lehtësimin e ligjeve mbi pronësinë e tokës.
Projektligji për “Paprekshmërinë e Pronës Private”, synonte të ndryshonte rregullat mbi pronësinë në Argjentinë, ndër të tjera duke thjeshtuar procedurat e dëbimit, duke ndryshuar rregullat për përdorimin e tokave rurale dhe duke e bërë më të vështirë marrjen e pronës private nga shteti.
Sipas një studimi të vitit 2025 të studiuesve të Universitetit të Buenos Ajresit dhe institucioneve të tjera akademike, pothuajse 5% e territorit të Argjentinës — një sipërfaqe e përafërt me madhësinë e Anglisë — është tashmë në pronësi të të huajve. Në studim thuhet se në disa zona, përqindja e pronarëve të huaj tashmë e tejkalon kufirin aktual prej 15%, veçanërisht në “territore të pasura me burime ujore dhe minerale ose me avantazhe logjistike”, siç janë portet.
Projektligji i propozuar konsiderohet nga disa qytetarë si “shitje” e vendit. Sindikatat e punëtorëve dhe liderët e opozitës po u bëjnë thirrje mbështetësve të tyre të dalin në rrugë, ndërsa këngëtarë të njohur, futbollistë, aktorë, dhe figura të tjera publike i janë bashkuar protestës, duke akuzuar qeverinë e Mileit se po përpiqet të përfitojë financiarisht nga toka e Argjentinës.
Argjentinasit u ngritën në protestë. “Mbrojtja e territorit tonë është thelbësore… Duhet të dalim në rrugë për të protestuar. Është Argjentina jonë që duhet të mbrojmë; ajo nuk është për shitje,” i tha EFE-së Marcela Arin, e cila kishte udhëtuar nga provinca jugore e Neuquén-it për t’iu bashkuar protestës në Buenos Ajres. Sipas agjencisë së lajmeve EFE, protesta kishte qenë paqësore përpara se policia të ndërhynte. Policia u përlesh me protestuesit në Buenos Ajres. Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji kundër demonstruesve në qendër të Buenos Ajresit, duke shpërndarë përfundimisht turmën. Agjencia AFP, megjithatë, raportoi se disa protestues hodhën gurë dhe objekte të tjera drejt forcave të policisë.
Pas reagimit të fortë publik, Milei u tërhoq dhe ligjvënësit zbutën projektligjin për lehtësimin e kufizimeve mbi pronësinë e tokës nga të huajt. Nga projektligji që u dërgua në Senat është hequr kapitulli kyç që nëse miratohej do të rriste kufirin mbi sipërfaqen e territorit rural që mund të zotërohet nga të huajt. Duket se qeveria e Mileit është detyruar të tërheqë propozimet e debatueshme si pasojë e kombinimit të reagimit të fuqishëm publik dhe nivelit më të ulët të vlerësimit të presidencës së Mileit të dalë nga sondazhet.
Projektligji fillestar i Mileit, i paraqitur në mars, eliminonte kufirin prej 15% për pronësinë e tokës nga të huajt. Një version i paraqitur javën e dytë të muajit gusht e rriste kufirin në 25%, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal, por kjo pjesë e projektligjit tashmë është lënë mënjanë. Pjesët që kanë mbetur në projektligj do të përshpejtonin dëbimet, do të lehtësonin rikthimin e pronave pasi shteti merr në pronësi një tokë dhe do të hiqnin kufizimet mbi përdorimin e tokës pas zjarreve.
Qeveria e Mileit shpresonte se reforma do ta ndihmojë vendin të tërheqë investime, por kundërshtarët e liderit libertarian paralajmërojnë kundër “kolonizimit, fragmentimit, përçarjes dhe ballkanizimit” të Argjentinës. Projektligji për pronësinë shihej nga disa brenda qeverisë si një tregues i rëndësishëm për një reformë zgjedhore që synon eliminimin, ose të paktën pezullimin, e zgjedhjeve paraprake gjatë zgjedhjeve të vitit 2027.
Votimi i projektligjit në Senatin argjentinas 37 pro kundrejt 33 kundër, pasi u hoqën dy çështjet e debatueshme (ajo e rritjes në 25% së kufirit të zotërimit të tokës argjentinase nga të huajt dhe ndryshimin e ligjit për administrimin e zjarreve që do të lejonte që territoret e djegura nga zjarret të shiteshin dhe përdoreshin për qëllime të tjera) konsiderohet për qeverinë si “fitore e Piros”.






















