Një anije mallrash është rrëmbyer të hënën në brigjet e Somalisë, pasi tetë persona të armatosur hipën në bord dhe morën kontrollin e saj, njoftoi Agjencia e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas njoftimit, incidenti ndodhi rreth 4 milje detare në jug të Mareeyos. Oficeri i sigurisë së kompanisë raportoi se personat e armatosur dhe të paautorizuar hynë në anije dhe morën kontrollin e saj.
Deri tani nuk është bërë e ditur pronësia e anijes dhe asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për rrëmbimin.
Incidenti rikthen shqetësimet për piraterinë në brigjet somaleze, e cila ishte veçanërisht e përhapur gjatë viteve 2008-2018. Pas një periudhe qetësie, rastet e piraterisë kanë nisur të shtohen sërish që nga fundi i vitit 2023, në një kohë tensionesh të rritura të sigurisë në rajon.






















